8 Ushtarë të FSK-së diplomojnë në Republikën e Turqisë

Diplomojnë me sukses të lartë, ushtarakët tanë në Shkollën Ushtarake të Gjuhëve të Forcave Tokësore të Republikës së Turqisë.

Në një ceremoni solemne të organizuar në Shkollën Ushtarake të Gjuhëve të Forcave Tokësore të Republikës së Turqisë, diplomuan tetë pjesëtarë të FSK-së.

Të gjithë pjesëtarët e FSK-së, përpos përkushtimit dhe disiplinës shembullore të treguar, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm përgjatë kësaj periudhe kohore.

Në këtë kurs kanë marrë pjesë rreth 60 oficerë dhe nënoficerë, nga 10 shtete të ndryshme të botës.

Pjesëtarët e FSK-së Major Fatlum Demiri, Tetar Genc Shala dhe Ushtarët e Klasit të Parë Albin Krasniqi, Ismajl Fejza e Neziri Krasniqi nga data 11 Tetor 2021 deri më 17 Qershor 2022, kanë ndjekur Kursin Bazik të Gjuhës Turke, përderisa Tetarët Arsim Bejta e Labinot Ademi si dhe Ushtar i Klasit të Parë Arianit Mehmeti nga 21 Mars 2022 deri më 17 Qershor 2022, kanë ndjekur Kursin e Avancuar të Gjuhës Turke.

Përfundimi i këtij kursi do të shërbejë si mundësi e shkëlqyeshme për edukimin dhe shkollimin e mëtejme, ngase shumica prej tyre do të vazhdojnë kurset dhe trajnimet e ndryshme ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë./TeleshkronjaPost/

, Teleshkronja Post