A ka vdekur apo jo Ervis Martinaj? Përgjigjet kreu i SPAK, Altin Dumani
Gjatë takimit informal me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur për disa nga operacionet në fushën e drogës dhe ngjarjet e tjera kriminale, të cilave u ka dhënë përgjigje.
Një nga ngjarjet e bujshme është ajo e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej datës 9 gusht të vitit të kaluar. Dumani nuk ka dhënë shumë detaje për fazat e hetimit, por ai u shpreh se për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetojmë.
“Nuk kemi prova se ai ka vdekur. Për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetohet.”– tha Dumani.
Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.
Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.
Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.