Beteja e Kosovës 1389: Pse u zgjodh Kosova si vendbetejë ?

Pjesë nga libri “Identiteti kosovar (Dilema dhe kundërthënie)”

Beteja e Kosovës e vitit 1389

Studiues të ndryshëm, më parë serbë dhe pastaj edhe shqiptarë, secili për qëllime të veta, kanë bërë përpjekje që territorit të Kosovës së sotme t’i japin atribute të veçanta, që në periudhën antike. Këto atribute ata i gjenin te Dardania antike, e cila, sipas mendjes së tyre, që të prodhonte Kosovën e sotme serbe ose shqiptare, duhej të ndryshonte që atëherë nga pjesa tjetër e Ilirisë. Po të përkufizohej ky ndryshim vetëm si territorial, mund të kishte një mbështetje, por synimi ishte të shkohej një hap më larg, veçmas nga studiuesit serbë, të cilët përpiqeshin që Dardaninë e atëhershme ta popullonin me një përzierje banorësh, ta zëmë, pellazgë, ilirë, trakas, ose kështu disi, mjaftonte që ajo të mos ishte tërësisht ilire dhe që, përkthyer në kontekstin e sotëm, domethënë të mos kishte një trashëgimi me vazhdimësi shqiptare. Kishte dhe ende ka shqiptarë që pretendojnë të njëjtën gjë, vetëm me sens të kundërt, të cilët i kërkojnë rrënjët e shtetit të Kosovës që në periudhën antike, përsëri jo si një nga organizimet e ndara ilire ose romake, por si një entitet më vete. Këto teori nuk kanë gjetur ndonjë mbështetje të gjerë dhe kanë mbetur kryesisht si projeksione të politizuara të historisë.

Sido që të jetë, në kronologjinë e ngjarjeve historike për Kosovën, Beteja e Kosovës e vitit 1389 është ngjarja e parë më e rëndësishme, e cila për nga pasojat largvajtëse paraqitet si njëra nga ngjarjet më të mëdha historike të Ballkanit. Duke qenë ngjarje mjaft e hershme dhe pak e dëshmuar, si dhe duke u zhvilluar në kohën kalorësiake të historive të përziera me mjegull dhe fantazi, kjo betejë nuk e pat të vështirë të bëhej një nga modelet europiane të shndërrimeve mitike dhe legjendare. Është kjo kohë jashtëzakonisht e errët në krejt historinë e Europës, e cila ishte zhytur thellë në obskurantizëm fetar dhe përjetonte krizë të gjithanshme. Por më e përshtatshme se për çdo arsye tjetër që të kalojë në mitologji, Beteja e Kosovës kishte “favorin” e ndeshjes fetare ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, një ndeshje që kishte filluar me kryqëzatat e njëpasnjëshme dhe tani, shikuar nga perspektiva e sotme, duhej të merrte një epilog me një betejë vendimtare. Beteja, përsëri nga perspektiva e sotme, ndodhi sa në realitet, po aq në fantazinë e çakërdisur evropiane dhe për epilog nuk kishte një zgjidhje tokësore të konfliktit, por një shndërrim mistik, që domethënë një shkapërcim të ngjarjes nga realiteti në fiksionin fetar. Në këtë mënyrë, ose disi ngjashëm, kanë lindur të gjithë epet kalorësiake, përfshirë këtu edhe një literaturë me përhapje të jashtëzakonshme, të cilën në mënyrë të mrekullueshme e stigmatizon Servantesi në “Don Kishotin” e tij. Pse, ç’dallim ka ndërmjet ngjarjeve të pabesueshme të romanit të Servantesit dhe bëmave të heronjve të Betejës së Kosovës, sipas legjendave serbe, nëse atyre iu shtojmë prirjen fantastike të autorit për t’i tallur dhe për t’i përqeshur ata? Fundja, a mund ta përfytyroni se ç’hero do të ishte Marko Kraleviqi, ç’pamje mund të kishte ai dhe ç’gjëra të papara mund të bënte, pasi të kalonte nëpër transformimin letrar të pendës së Servantesit? Thënë me një fjalë, është koha e heronjve mesjetarë, të cilët, kur luftojnë mes veti, “shtatë pash në tokë” e ngulin topuzin. Copëza të bëmave të këtyre heronjve i kemi ruajtur edhe ne në këngët tona legjendare. Prandaj edhe perceptimi i ngjarjeve historike të kësaj kohe është krejt ndryshe nga periudha e modernitetit.

Të gjitha këto janë të qarta dhe në këtë pikë Beteja e Kosovës nuk përbën ndonjë ndryshim nga ngjarjet e tjera kalorësiake të periudhës mesjetare në Europë. E vetmja pikëpyetje mbetet: Pse Kosova? Pse u gjend Kosova të bëhej epiqendër e një ngjarjeje, që projektonte në sfond ndeshjen e dy botëve, të dy civilizimeve? A ndodhi kjo rastësisht apo kishte një pararendje ngjarjesh, të cilat pothuajse e bëjnë të pashmangshme këtë ndeshje, pikërisht në këtë vend? Deri tani historiografia nuk ka bërë përpjekje të japë përgjigje në këto pyetje, duke u mjaftuar me gjetjen e fakteve që e konfirmojnë ndodhinë dhe duke u munduar që prej një legjende të mjegullt të bëjnë një ngjarje sa më të besueshme historike. Me rrethanat, me kontekstin kohor të kësaj ngjarjeje historiografia është marrë më pak, pra, nuk i ka kushtuar vëmendje njohjes së tyre nga një auditor më i gjerë. Nuk është se historianët nuk dinë gjë për rrethanat, ndonëse edhe aty ka vështirësi njohjeje, por më shumë ndoshta bëhet fjalë për një zhvendosje të vëmendjes. Dhe, vëmendja ka ikur pothuajse në tërësi nga fakti se luftërat e këtilla në mesjetë janë bërë në kufijtë e njërës apo të tjetrës perandori, të njërës apo të tjetrës principatë dhe se ato nuk janë konfiguruar me parametrat e sotme fetare ose civilizuese. Në rastin e Betejës së Kosovës ky fakt merr kuptim edhe më specifik, sepse ngarkesat apo konfuzionet e mëvonshme politike shpesh janë projektuar në atë të shkuar krejtësisht të mjegullt.

Përse, pra, të mos themi ndryshe, se Beteja e Kosovës, në kohën kur ka ndodhur, nuk ka qenë ndeshje civilizimesh as ndeshje e dy botëve, e dy feve etj., por ka qenë një ndeshje e një ushtrie pushtuese, me një tjetër që mbrohej dhe asgjë më shumë se kaq. Ose, ishte një përballje e një koalicioni të dobët me ushtrinë e një perandorie të madhe, e cila kishte arritur suksese të mëdha në Lindje dhe tani ia mësynte Europës. Nuk ka qenë Perandoria Otomane e vetmja që e ka bërë këtë gjë, sepse “ekskursione” të këtilla Europë-Azi dhe anasjelltas kanë bërë të gjitha perandoritë e mëdha, që nga Aleksandri i Madh e deri te Xhingis-Khani. Atëherë, ç’gjë të veçantë ka kjo betejë, që del nga konteksti i ngjarjeve të këtilla të asaj kohe? Pothuajse asgjë. Në anën e turqve luftojnë edhe prijës ushtarakë vendas, ndërkohë që vasalë bëhen pothuajse të gjithë prijësit ballkanikë, sapo e humbin këtë betejë. Por diku, megjithatë, është një gërvishtje që ngacmon dhe nxjerr në sipërfaqe idetë fetare dhe civilizuese: kronistët turq të betejës, ata që luftonin përball, pra të krishterët, i quajnë “të pafe”.

Por a ndodhte kjo ndarje në fushëbetejë? Absolutisht jo. Kronikat u lexuan më vonë dhe dijenia për to hyri në Europë shumë kohë prapa. Kjo është e dëshmuar dhe e njohur. Pra, atributet fetare evropiane Beteja i mori më vonë, atëherë kur Europa po kërcënohej jo nga civilizimi i papërkufizuar oriental, por nga një rrezik latent dhe krejtësisht real, nga një perandori e fuqishme, e cila ishte pothuajse dy hapa larg kështjellave të Europës. Dhe europianët, të parehatshëm nga ky kërcënim, për një kohë të gjatë qëndruan të mobilizuar ushtarakisht dhe ideologjikisht kundër këtij rreziku të afërt. A u përdor feja nga të dy palët? Gjithsesi, por jo në momentin e betejës. Beteja ishte një ndeshje e zakonshme mesjetare. Madje, mund të thuhet se, për kohën kur ndodhi, ajo ishte një ngjarje lokale, sepse aty për aty nuk tërhoqi vëmendjen e shteteve të fuqishme të Europës. Europa mori vesh për ngjarjen shumë kohë më vonë se ajo të ndodhte. Koalicioni ballkanik, ndërkaq, është pak e besueshme të ketë funksionuar si koalicion i krishterë, për arsye se viset ballkanike tashmë kishin përjetuar një ndarje fetare, atë të ndarjes së kishave, e cila shpesh kishte çuar në konflikte të hapura dhe popujt i kishte bërë të paqëndrueshëm në pikëpamje të besimit fetar. Ballkanasit tashmë nuk ishin fanatikë të asnjë feje. Ata, siç dihet, e kishin të ngulitur idenë e konvertimit, sepse jo një herë iu kishte ndodhur që, bashkë me aleancat politike dhe ushtarake, të ndërronin edhe përkatësinë kishtare.

Por, megjithatë, pse Kosova? Pse u zgjodh, pra, pikërisht Kosova që të ndodhte kjo ngjarje? Atë nuk e ka përcaktuar asgjë tjetër, pos vijës së komunikimit, rrugës, territorit, reliefit, që domethënë se ishte një hapësirë e përshtatshme që komunikonte pa pengesa relievore nga Lindja drejt Perëndimit. Thënë ndryshe, Kosovën si fushëbetejë ndërmjet turqve dhe ballkanasve nuk e kishin përcaktuar ballkanasit, por strategjia e ushtrisë turke, e cila përmes Kosovës synonte depërtimin e mëtejshëm drejt viseve perëndimore. Vija e depërtimit përmes Kosovës ishte njëra nga tri rrugët, të cilat ushtria turke i ka përdorur vazhdimisht në ekspeditat e saj drejt Europës. Ballkanasit, me këtë rast, nuk bënë gjë tjetër, përveç se mblodhën një ushtri, u përpoqën ta ndalnin depërtimin turk dhe u thyen keqas. Asgjë mistike dhe asgjë simbolike nuk kishte në atë ndodhi.

Ikja nga historia

Versionet e përshkrimit të Betejës së Kosovës nga kronistët dhe historianët janë të ndryshme, shpesh të tilla që përjashtojnë njëra-tjetrën. Ndërsa flasin për këtë ngjarje, dokumentet dhe relacionet e kohës kanë brenda një pasaktësi të madhe, kështu që e përbashkëta e këtyre përshkrimeve është pikërisht kundërshtimi i ndërvetshëm dhe pasaktësia. Megjithatë, versionet kryesore të përshkrimit të kësaj beteje tani janë katër: versioni serb, i ndërtuar në shekullin XIX, që është më i përhapuri; versioni shqiptar, i ndërtuar në shekullin XX, që përpiqet ta kontestojë versionin serb; versioni turk, që mbështetet në shkrimet e kronistëve dilirantë me mendje të turbullt nga hashashi dhe nargjiletë; si dhe versioni euro-perëndimor, i cili është ndërtuar gradualisht dhe që synon të duket sa më neutral dhe më i besueshëm.

Për versionin serb mjafton të themi se ai është ndërtuar mbi kujtesën e mjegullt popullore, bartur në formë të këngëve të epikës legjendare deri në shekullin XIX, kur idetë romantike, si me magji, shprishën strukturën poetike të ngjarjes dhe prej saj ndërtuan një realitet të supozuar historik. Procesi tashmë është i njohur: Vuk Karaxhiqi mblodhi disa këngë për Betejën e Kosovës dhe i prezantoi ato në qarqet evropiane, ku tashmë kishte filluar një pasion i jashtëzakonshëm për folklorin dhe traditën. Këngët u pëlqyen dhe u vlerësuan me atributet më të larta. Gëte dhe Kopitari nuk do ta kenë pasur as idenë, se vlerësimi që ata i bënë eposit serb për Betejën e Kosovës do të shndërrohej nga romantikët serbë në mit kombëtar dhe se në këtë pikë ata dhanë kontributin e tyre të madh, duke mos e parashikuar se veprimi i tyre do ta kthente Ballkanin për afro një shekull e gjysmë në arenë gjakderdhjesh të njëpasnjëshme. As atëherë dhe as më vonë europianët racionalë nuk do ta kuptojnë se, kur bëhet fjalë për popujt e Ballkanit, të vlerësosh njërin më shumë se tjetrin do të thotë njëkohësisht edhe të japësh miratimin e heshtur për shfarosje dhe gjenocid ndaj atyre që janë të dënuar të mos e kenë këtë mbështetje. Historia e mëpastajme do ta vërtetojë këtë në vazhdimësi. Në këtë lojë europiane për Ballkanin, shqiptarët do ta pësojnë më së keqi, jo gjithmonë me fajin e tyre dhe jo gjithmonë pa fajin e tyre.

Versionit serb të Betejës së Kosovës do të vijë në ndihmë edhe versioni turk, i cili ka aq shumë pasaktësi rreth vendit të ndodhjes së kësaj ngjarjeje, sa që i ka krijuar hapësirë shumë të përshtatshme versionit mitik serb të ndërtojë një topografi të ngjarjes sipas interesave krejt pragmatike politike. Bie fjala, në vendin ku turqit besonin se ishte vrarë sulltan Murati, në fshatin Mazgit të rrethinës së Prishtinës, u ndërtua një tyrbe. Si ndodhi të ndërtohej tyrbja pikërisht në këtë vend, kur kronikat turke e lëviznin vendngjarjen në lindje dhe perëndim me dhjetëra kilometra, kjo gjithsesi mbetet e paqartë. Ajo që mbeti e besueshme në versionin turk për Betejën e Kosovës ishte vrasja e sulltan Muratit nga një “i pafe” në fushëbetejë, se pastaj trupi i sulltanit u balsamos dhe u dërgua në Edrene, ndërsa në vendin e vrasjes, aty ku u varrosen rropullitë e tij, u ndërtua një tyrbe. Është e ditur se tyrbja e sotme e sulltan Muratit në fshatin Mazgit është e shekullit XIX dhe askush nuk mund ta vërtetojë se tyrbja e re është ndërtuar pikërisht në vendin ku ishte tyrbja e mëhershme. Por do të jetë pikërisht kjo tyrbe, e cila do të shërbejë si piketë kryesore për konfigurimin toponimik serb të Betejës së Kosovës. Sipas gjasës, do të jetë Jovan Cvijiqi me shkollën antropogjeografike, i cili, pas pushtimit serb të Kosovës më 1913 do të serbizojë shumicën e toponimeve dhe, me këtë radhë, do të përkufizojë edhe hapësirat “serbe” të Betejës së Kosovës. Ishte krejt logjike që këto hapësira t’i vendoste përreth Tyrbes së Sulltan Muratit: në kodrinën përball tyrbes, Gazimestanin; në të majtë të tij Orloviqin; pak më tej në jugperëndim Obiliqin dhe në luginën prapa Jugoviqin. Duket se vetë serbët për shumë kohë nuk do t’i kenë marrë aq seriozisht këto toponime, sepse u desh të vinte viti 1954 që në kodrinën e mbiquajtur Gazimestan të ndërtonin një pirg të shëmtuar në kujtim të Betejës së Kosovës, përmendore kjo që sot e kësaj dite qëndron në anë të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Ndonëse e ndërtuar në dhjetëvjetëshin e parë të Jugosllavisë socialiste, deri vonë, deri në ditët para 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, kjo përmendore rrinte pothuajse e pavërejtur ndanë rrugës. Dukej sikur as serbët e Kosovës dhe as serbët e Jugosllavisë së atëhershme nuk ia kishin ngenë një përmendoreje të tillë, e cila seku lidhej me ca legjenda të moçme dhe ishte më e largët se vetë historia.

Ndërkaq, shqiptarët, të gjendur nën trysninë e vazhdueshme të mitit serb për Kosovën, u përpoqën të krijonin versionin e tyre historik dhe legjendar për Betejën e Kosovës, kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, atëherë kur ndër shqiptarët u akumulua deri diku një potencial i mjaftueshëm intelektual, për të dhënë përgjigje në shumë çështje të mbetura pezull. Ky version nuk mohoi asgjë nga ajo që tashmë njihej në histori dhe ishte pranuar pothuajse botërisht, vetëm se ata i mëshuan më me forcë idesë se në Betejën e Kosovës të vitit 1389, përball ushtrisë turke nuk u gjenden vetëm serbët, por një koalicion i gjerë ballkanik, ku pjesëmarrja e shqiptarëve ishte e dëshmuar. Në këtë pikë ata u përpoqën të shkonin pak më larg. Duke ndjekur shembullin serb të përvetësimit, që është i theksuar dhe gjithandej i pranishëm, u shkoi mendja të bënin të vetin njërin nga heronjtë kryesorë të kësaj beteje, Milosh Obiliqin, duke ia ndërruar mbiemrin (Kopiliq) dhe duke i dhënë atij atribute shqiptare.

Por, derisa çështja historike e koalicionit ballkanik preokupoi mendje të shquara të shkencës shqiptare, me çështjen e eposit shqiptar për Betejën e Kosovës, prej nga duhej të buronte edhe miti shqiptar për këtë betejë (sipas modelit serb), u morën emra periferikë të shkencës, të historisë dhe të folklorit. Ndonjë përpjekje për të bërë një lidhje ndërmjet mitit shqiptar të Kopiliqit dhe Luftës së Kosovës të vitit 1999 (Anna di Lellio), veçmas të idesë së sakrificës dhe të rebelimit individual dhe kolektiv të Drenicës (ku gjendet edhe fshati Kopiliq, prej nga mendohet se mund ta kishte origjinën heroi mesjetar), në rrethanat e sotme do të marrë konotacion dashamirës për shqiptarët, por nuk do të mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore. Arsye janë disa. E para, sepse shekulli XX nuk është kohë e krijimit dhe e kultivimit të miteve, pavarësisht nga ndonjë aluzion i tërthortë se shqiptarët edhe në këtë pikë paraqiten të vonuar, sikundër edhe në shumë çështje të tjera. Po të ishte se te shqiptarët ekzistonte një bazë për mitin e Betejës së Kosovës, ai do të valorizohej që në shekullin XIX, atëherë kur u valorizua edhe miti për Skënderbeun. E dyta, eposi shqiptar për Betejën e Kosovës, nëse mund të quhet i tillë, ka një shtrirje tepër të kufizuar, që pothuajse nuk del jashtë Drenicës dhe zonës përreth saj. E treta, këngët shqiptare për Betejën e Kosovës dhe Milosh Kopiliqin janë nga më të varfrat në pikëpamje artistike dhe nuk qëndrojnë as afër krijimeve të ngjashme të epikës legjendare ndër shqiptarët. E katërta, në krahasim me eposin serb, ato dalin shumë të kufizuara dhe ndonjëherë ngjajnë të shëmtuara. E pesta, ato janë ndër të rrallat këngë shqipe, për të mos thënë të vetmet që i thurin lavde sulltanit, gjë që në këtë pikë mund të përafrohen me disa krijime të vonuara të rrymës së bejtexhinjve, e cila në Kosovë ishte e pranishme deri vonë, deri nga në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX. Pra, është krejt e besueshme se ato këngë do të jenë krijuar nga ndonjë bejtexhi anonim dhe i patalentuar, jo shumë kohë përpara se Margaret Hasluck, Albert Lord dhe Glisha Elezoviq t’i kenë regjistruar dhe t’i kenë bërë të ditura për opinionin shkencor, ndoshta më shumë si nostalgji e ndonjë bejtexhiu zemërplasur për Turqinë që tashmë kishte ikur në pakthim.

Duke bërë një rezyme të këtyre dilemave dhe hamendësimeve, del shumë e qartë se varianti shqiptar i eposit të Betejës së Kosovës në tërësinë tij është i paqëndrueshëm dhe i pamundshëm. Kjo shpjegohet me faktin se popujt e Ballkanit, kush më shumë e kush më pak, pas shekujve XIV-XV e tutje ranë në një errësirë të thellë dhe se vetëm rizgjimi i tyre në prag ose gjatë shekullit XIX bëri të mundur rikthimin e miteve pothuajse të harruara. Në të vërtetë, mitin për Skënderbeun, në formë të shkruar, e ruajti dhe e kultivoi vetë Europa dhe atë e rimorën rilindësit shqiptarë në trajtën më shumë historike dhe më pak legjendare. Duke qenë të një provenience fetare heterogjene, rilindësit shqiptarët hoqën ose relativizuan nga bëmat e Skënderbeut veshjen fetare të krishterë dhe e kthyen atë në përmasat e tribunit popullor, të pranueshëm si për myslimanët, ashtu edhe për katolikët dhe ortodoksët. Ndryshe ndodhi me mitin serb për Betejën e Kosovës. Në shekujt e errët atë e ruajti kisha serbe dhe që andej ai u zhvendos në formën e eposit popullor. Prandaj në këngët dhe rrëfimin e tyre popullor për këtë ngjarje ka aq shumë elemente liturgjike, nga njëra anë, sikundër që ka shumë më pak histori se në rastin e Skënderbeut. Por në të dy rastet, Evropa ishte ajo që këto mite i riktheu në Ballkan me krejt domethënien e tyre historike dhe mitologjike. Vetëm se do të ketë një dallim cilësor ndërmjet njërit dhe tjetrit mit, dallime këto që u përshtateshin gjendjes së popujve ballkanikë: miti shqiptar për Skënderbeun përmbante në vete idenë e çlirimit, ndërsa miti serb për Betejën e Kosovës përmbante idenë e pushtimit, sepse ishte ndërtuar mbi postulatet e kryqëzatave dhe të luftës për tokën e shenjtë.

Tani, pasi frymëzoi dhe pajisi ballkanasit me ide të këtilla, duke parë se në këto hapësira mitet riinkarnohen me cikle kohore të një kalendari krejtësisht të ndryshëm nga ai perëndimor, europianët synojnë ta ndryshojnë këtë rrjedhë, ndoshta jo sipas ndonjë programi të veçantë, por sipas bindjes dhe ideologjisë së tyre eurocentriste. Duke marrë rolin e arbitrit në politikë, po këtë rol duan ta marrin edhe në shkencë, veçmas në histori, e cila, sikundër dihet, ngarkon së tepërmi vetëdijen ballkanase. Kur flasin për ngjarjet historike në Ballkan, ata kanë filluar të marrin qëndrim refuzues dhe arrogant ndaj të gjitha palëve. Historitë e tyre kanë një emërues të përbashkët: çmistifikimin me çdo kusht, madje ndonjëherë edhe deri në mohim. Teknologjia e këtij çmistifikimi është e thjeshtë: pasi bredhin nëpër dokumente dhe interpretime vendore ballkanase, duke i mohuar ato me lehtësi; pasi hedhin sytë edhe në dokumentet turke, që edhe ashtu kanë shumë mjegull dhe lehtësisht kontestohen, nxjerrin ndonjë dokument të proveniencës perëndimore (ta zëmë, të Venedikut ose Padovës), bëjnë interpretimin e tij si plotësisht të besueshëm (sepse nuk është ballkanik, nuk është as turk, pra është europian!) dhe, në këtë mënyrë, pretendojnë se kanë vendosur në vend të vërtetën historike. Vetëm se në këtë qasje eurocentriste gjithmonë ka një problem: prirja për t’i dhënë të drejtë gjithkujt nga pak dhe askujt tamam, duke mos njohur situatën nga brenda, jo rrallë çon në mohimin e të pamohueshmes dhe në pohimin e asaj që nuk mund të konfirmohet.

Zhbërja e shpejtë e identitetit

Pse, pra, kosovarët nuk e përfshinë dot në identitetin e tyre historik Betejën e Kosovës të vitit 1389? Sepse atë tashmë e kishin bërë serbët dhe shqiptarët, duke qenë më të vonuar, nuk mund ta bënin të njëjtën gjë. Mund të thuhet kështu? Apo duhet kërkuar diçka tjetër në këtë mes, një shpjegim që deri-diku u afrohet rrethanave të kohës. Më e mundshme është se Beteja e Kosovës, ashtu sikundër e thamë më parë, mund të ishte një ndeshje ushtrish të huaja, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve vendas. Muzaka dhe Balsha fare lehtë mund të ishin pjesëmarrës me kontingjentet e tyre të luftëtarëve shqiptarë, por jo me kosovarët. Ata mund të kishin bërë aleanca ushtarake me prijësit serbë, të ishin vendosur nën komandën e Lazarit, por kjo nuk do të thotë aspak se vendasit shqiptarë ishin futur në betejë. Prandaj edhe nuk do të merren me të. Ndërsa shqiptarët e Balshës dhe Muzakës mund ta kishin Betejën e Kosovës njërën nga ekspeditat e shumta, ku do të kishin marrë pjesë, prandaj nuk kishin përse të këndonin për të.

Hipoteza e dytë çon te një përfundim i afërt me këtë: për shqiptarët Beteja e Kosovës ishte luftë pushtuese, në të cilën u ndeshen turqit pushtues me serbët pushtues (në ndihmë të këtyre të fundit, shqiptarët e Muzakës dhe të Balshës mund të kishin bërë aleancë). Prandaj as i kënduan, as e mistifikuan këtë luftë. Hipoteza e tretë lidhet me rrethanat e krijuara pas Betejës: shqiptarët vendas, si mospjesëmarrës në Betejë, pas përfundimit të saj, do të jenë shpërngulur në masë nga ky territor, në jug ose në veri. Një ngjarje të tillë, me pasoja për ekzistencën e tyre, nuk kishin përse ta madhëronin, as ta glorifikonin. Dhe hipoteza e katërt lidhet me karakterin liturgjik të një pjese të eposit serb për Betejën e Kosovës: këtë epos mund ta kenë krijuar dhe mund ta kenë ruajtur murgjit serbë të manastireve, ku shqiptarët ortodoksë gjithnjë e më pak fillojnë të jenë të pranishëm dhe të identifikueshëm (për shkak të asimilimit dhe konvertimit). Është e njohur historikisht se në periudhën pararendëse, gjatë pushtimit serb të Kosovës, kisha serbe, tashmë autoqefale, kishte ndërmarrë një invazion kundër klerit vendas, të cilin e persekutoi dhe e dëboi nga kishat, e bashkë me të sigurisht që dëboi edhe besimtarët shqiptarë.

Misteri i madhë: Ku u fshehën eshtrat e Skenderbeut ?

Ku u fshehën eshtrat e Skënderbeut? Enigma, sipas Serembes dhe Moikomit dhe një letër e koduar e Ferdinandit të Aragonës, për të venë e Heroit.

Varri i Gjergj Kastriot Skenderbeut, ka tërhequr, ka grishur vëmendjen e shekujve dhe të njerëzve, ka fituar gati statusin e një tabuje jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.

Si një motiv filmik, hollivudian do ta sfiliste (shekujve) dhe e sfilit edhe sot fantazinë tonë.

Varri lind si njeriu, ka ditëlindjen ditëvdekjen e njeriut. Është e njëjta datë e dyfishtë, kundërshtore me vetveten. 17 janari i vitit 1468 është vdekja e Heroit, por pa këtë vdekje nuk do të krijohej mahnitshëm, nga e panjohura e veshur si e papritura.

Njëlloj Hirushe e Kalendarit, do të shënonte ekzistencën e tij në botë dhe në amshim, Varri i Heroit.

Varri është kështu aq kuptimplotë dhe i papërputhshëm për njeriun, sa kali i luftës për kalorësin.

Nëse ajo që quhet vdekja e njeriut shënon një pikë fikse të rrugëtimit të tij, varri shënon startin e një rrugëtimi tjetër, sepse vetëm kështu fundi është njëkohësisht edhe fillimi.

Apologjia e varreve ngandonjëherë tejkalon gjithçka.

Tempulli varr, i quajtur Taxh Mahall, në Igra të Indisë, është një metaforë lirike e piramidave, varreve plot epikë të frikshme me madhështi astronomike të faraonëve të vdekur.

Po të mos ishte Piramida e Keopsit, nuk do të kujtohej ndoshta emri perandorak, i vështirë dhe i egër, i kumbueshëm dhe i kotë.

Kjo është plotësisht e vërtetë, nëse nuk harrojmë që Akili nuk ka varr, as Odiseu.

Nëse varri humbet, ahere kemi një mallkim të shumëfishuar, një ankth gërryes, një shi prej acidi, që tret dhe shkatërron Kujtesën.

Skënderbeu e ka një varr të përcaktuar në koordinata të dyfishta hapësinore dhe kohore, data kalendarike është bërë substanciale, në një motiv hapësinor, të pashmangshëm në botë.

Kronika thotë, në mënyrë të pamëshirshme, por dhe asnjanëse dhe indiferente, se Skënderbeu u varros në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë, jo në ndonjë vend tjetër.

Kështu, një pikë e kritikuar kohore bëhet një pikë e kritikuar hapësinore, data është lëvozhga, heroi është bërthama.

Gjithë vështirësia, pabesia, imagjinata e sëmurë, fataliteti, paradoksi kanë të bëjnë ose me njësimin përfundimtar, ose me shpërbërjen; mund të ruhet varri bosh, por eshtrat jo, nëse heroi është mëma e varrit (njëkohësisht dhe ati), varri është fëmija (trashëgimtari), vijuesi, rrugëvazhduesi etj., etj.

Historia e varreve bosh është e frikshme, por e rëndomtë.

Në lashtësi njerëzit ndërtonin varre bosh, të quajtura kenotafe, për njerëzit e tyre të afërt që kishin vdekur diku nëpër botë, nëpër qytete të huaja, mbi lumenj apo dete të pafund, duke mos u kthyer kurrë në vendlindje.

Kenotafet ishin fizikisht bosh, por shpirtërisht plot.

Apologjia na e mëson këtë aventurë, madje na rutinizon me çudirat.

E nëse varri i Skënderbeut nuk humbi, kjo nuk do të thotë aspak se një humbje përfundimtare e këtij varri do ta bënte të humbte në hiç e në pluhur vetë Skënderbeun. Dalim kështu te një kuptim metaforik, konvencional, delikat, i brishtë, ose ndoshta, në fund të fundit, të panevojshëm.

Ne nuk i dimë duart, që skalitën mermerin dhe ndërtuan varrin, sarkofagun e Skënderbeut. Nuk e përfytyrojmë dot ceremoninë rituale të vdekjes, nuk kishte as kamera, as magnetofona, as aparate fotografike.

Njerëzit janë prej mishi dhe gjaku, kujtesat e tyre autentike janë po kaq të pambrojtura dhe rrezikshmërisht të shkatërrueshme. Nuk dimë nëse mbi pllakën mbivarrore u shkrua në shqip, apo në latinisht emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, epitafi i tij, titujt, fjalët kushtimore të shekullit, simbolet heraldike, kryqi sa i pagantë aq dhe i krishterë.

Nuk i dimë fytyrat e përlotura, as duart e dridhura, as temjanin gati si tymi i topave dhe bombardave të amshimit. As ngashërimin e thekshëm, ulëritës, të pafuqishëm, ajkunor të gruas, as belbëzimin gjithë gulç, lotët e të birit.

TE DEUME transparente, të lëvizshme, që pluhurizohen. Flokët e shkulur të Lekë Dukagjinit, mjegullat, këngët, profecitë e zymta. Kambanat e kishave të Shqipërisë, të përvëluara, inkandeshente nga goditjet. Të krejt. Europës.

Ankthi i thurur, shermashek vajtimi që ngjitet që nga Hadi.

Fatalizmi, pamendimi i mediokërve, humbja e shumë shpirtrave për hir të një shpirti, këngë funebre pa tinguj, madhështi e kuarcuar, shekuj të thyeshëm si qelq, libra që digjen vetvetiu, pa zjarr, ikona që zbardhen befas, dete të epërme që shndërrohen në stalagmite, Njëshi i Krishterimit i harruar, enigma të helmëta me këmbë insektesh, fëmijë ,që lindin me gjak të bardhë, jo të kuq, ethe të Kujtesës që rraskapitin gjithçka, djaj të gjelbëruar si mijëra shkurre, që dyndin një qytet antik të braktisur, poçe të thyera të darkave mistike të dikurshme, Klepsidra e Hënës, që rrjedh ujëra të zeza, apokaliptike.

Më këmbëngulësi, më i zymti dhe më i hershmi, më zhbiruesi, pra më i pabesueshmi, dijetari sanguin dhe i paepur Cosmo Serembe,autor dhe studiues arberesh, botoi në fillim të shek. XX, në Milano, edhe një libër të pazakontë, hulumtues, heretik, buçitës për kërkimet identifikuese të varrit dhe të salmës së Skënderbeut.

Libri i vogël ishte i furishëm dhe stuhidiskutimndjellës. Serembe citon Barletin si pikënisje, në të njëjtin kuptim si limani i nisjes së Kristofor Kolombit përpara zbulimit epokal.

Serembe përdor një teknikë çmitolotizuese të faktit të vërtetë historik. Sipas tij, skenari i varrosjes së trupit të Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, ka qenë thjesht një strategji, një motiv apokrif, një parathënie e re, për të vërtetën krejt ndryshe.

Serembe është i bindur në mënyrë titanike se shqiptarët, rrethi i afërm i heroit, kanë përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për t’i shpëtuar eshtrat e Skënderbeut nga duart e turqve.

Këtu shkëlqen me një dritë verbuese, halucinante sekreti i mbartjes së kufomës së Skënderbeut, duke ndryshuar përcaktimin e vendosjes, duke bërë një mospërputhje të fshehtë të dukjes së jashtme me thelbin e duke falsifikuar informacionin në kohë.

Serembe është këmbëngulës, nuk thyhet. Për të zhdukja e historisë së Tivarasit, të shtypur 13 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ka ndodhur për arsye madhore, se kinse në këtë libër kishte shënime tepër të qarta mbi vdekjen dhe varrimin e Heroit, se Dogji Mocenigo, për t’i ndaluar turqit, që të orientuar nga shënimet e sakta të Tivarasit për varrin e vërtetë të Skënderbeut, urdhëruan që të zhdukeshin të gjitha kopjet e këtij libri, përveç një kopjeje, që i ra më vonë në dorë Biemm-it kokëkrisur dhe fantazist.

Po a thua i ra në dorë Biemm-it?

Serembe i skajëzon hamendësimet e tij. Libri i Tivarasit u shqye që të mos e merrte vesh njeri sekretin e fshehjes së trupit të Skënderbeut.

Ndoshta dhe libri i Gjon Buzukut – kopja e vetme që ka mbetu në botë, i ka të shqyera fletët e para, frontespicin, simbolin tipografik, për shkak të ruajtjes së një sekreti, që do të ishte më i kobshëm po të zbulohej.

Kështu, zhdukja e sekretit dhe jo ruajtja e tij, përbënte një motiv mbijetese, ruajtje. Kështu, paradoksi tingëllon i plotë, si monedha me dy faqe, jo si sfera.

Serembe i përkorë mbështetet në logjikën gati të pakundërshtueshme se shqiptarët, në asnjë mënyrë, absolutisht nuk do të donin që turqit, pas pushtimit të Lezhës, të dhunon varrin e Heroit.

Po a nuk do të pushtohej Lezha një ditë? Ç’naivitet absurd do të konstruktonte shpresën kinse utopike se turqit nuk do të shkonin në katedrale, do të trembeshin nga shikimet shigjetuese të afreskeve, nuk do ta preknin varrin tabu ?

Shqiptarët e dinin fare mirë se dhuna do të shumëfishohej si hakmarrje, rituali i zhvarrimit do të ishte një motiv më i epërm sesa ai i fitores.

Ahere ç’duhej të bënin shqiptarët ?

Serembe mendon përvujtërisht një projekt konceptual për shpalljen paraprakisht të varrosjes së trupit të Heroit në Katedralen e Shën Nikollës, duke ia bërë këtë të njohur gjithë botës, njëkohësisht do ta varrosnin diku, në një vend të panjohur, sekret, misterioz, kufomën.

Por Serembe nuk mund ta rrënjëzojë ashtu siç duhet këtë hamendësim. Ai gjen motive të tërthorta, sfilitet prej tyre, hakërritet, egërsohet, por edhe merr fuqi arsyetimi dhe pushtet këmbënguljeje.

Bindja e Serembes është se shqiptarët duhet të kenë lënë diku një dëshmi, një shenjë, një simbol grafik, një semiologji të kohës, një gremç të artë, por dhe të padukshëm në formën e një kriptografie.

Duke qenë i zotëruar prej filologjisë, ai bëhet një lloj Aladini i filologjisë së emrit të Heroit, emër që ka përjetuar plot përçudnime, qoftë prej padijes, qoftë prej gabimeve të kopistëve, si p.sh., Scanderbego, Scanderebech, Scandaribech, Skandalbech. Përçudnimet e emrit e ruajnë njëfarë probabiliteti, por midis këtyre përçudnimeve ruhet edhe ermi, që sipas Serembes është çelësi i Davidit që i hap gjitha portat e fshehtësive, të sekretit të dhimbshëm të vendvarrosjes së trupit të Skënderbeut.

Në vitin 1468, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut, Ferdinandi i Aragonës i dërgon një letër së vesë së Heroit. Me këtë rast, në letër shkruhet “Scandalibech”.

Serembe mendon se kemi të bëjmë me një kriptogram të jashtëzakonshëm, të habitshëm, sfidues, grishës, marramendës.

Është një fjali konvencionale, e cila duhet ta shpërthejë substancën e saj në secilën germë në vetvete, germë nismëtare, kuptimore, kumtmbartëse.

Gjithë misteri lidhet me lehtësinë e të lexuarit nga e djathta në të majtë, pra në të kundërt, sipas leximit arab dhe jo atij latin.

Kështu kemi të bëjmë me këto germa iniciale të mëdha : H. C. E. B. I. L. A. D. N. A. C. S.

Duke plotësuar germat nistore me fjalë latine, formojmë përfundimisht, ultimisht, konkretisht, fuqimisht, lehtësisht, mrekullisht dhe marrëzisht, këtë fjali: HUMILITER CORNU EPISTOLAE BARBARIS IN LOCO ANGUSTO DOMINI NOSTRAE ALBANIAE CELAT SEPULERUM.

Një përkthim i lirë i kësaj latinishteje hieronimase, na njofton se Zoti i Shqipërisë (pra Gjergj Kastriot Skenderbeu) e ka të vendosur salmën (kufomën) në një vend të ngushtë pranë altarit, në krah, ku lexohet Epistula.

Cila Epistula (Letra) ?

Një Epistula biblike si ato të Shën Palit, apo një Epistula Testamentum, e vetë Skënderbeut? Serembe nuk e ftillëzon enigmën e Epistula-s. Këtu nis terri. E padepërtueshmja.

Mbase Serembe ishte frymëzuar nga Kabala, ku kombinimi i germave përfton krijesa fantazmagorike.

Një shkrimtar entuziast do ta besonte, do të thurte subjektin tronditës, ku përtej të Pabesueshmes gjallon e Besueshmja. Por një shkrimtar i tillë nuk ka lindur ende. Për fatin e mirë shkrimtarët mediokër janë indiferente, trillet e dijes për ta janë kotësi shqetësuese, bezdisëse.

Serembe shpiku një ide, bëri piedestalin për një monument të mangët, parashtroi, por nuk vërtetoi. Këmbënguli, por nuk gjeti dot asgjë.

Hodhi një fishekzjarr, por terri nuk u tërhoq. Parandjeu, bëri një nisje, por nuk arriti. Skeptikët nuk guxuan ta mëshironin, as ta përkëdhelnin.

Skënderbeu i gjallë ishte pa varr. Por edhe pas vdekjes nuk i duhet varri. Varri? Një rrobë e gardërobës funerare? S’ka nevojë heroi për këtë rrobë simbolike.

Heroi s’ka varr se është në substancën e Historisë. Varri hapet, prishet, profanohet, shkaterrohet në tokë, por jo në Histori. Varri është konvencional, – përtej Konkretësisë. Historia është konkrete, – përtej Konvencionalitetit.

Skënderbeu s’ka varr!

KY VARR JEMI TANI VETE NE! DHE ATA, QE DO TE VIJNE NE AMESHIM!

Një vend imagjinar nuk i duhet askujt! /konica.al

23 vjet nga demilitarizimi i UÇK-së.

23 vjet më parë u nënshkrua marrëveshja për demilitarizimin e UÇK-së, ku ishin përfshirë në detaje fazat e dorëzimit të armëve, mbajtjes së uniformave, kalimin e një pjese të pjesëtarëve të UÇK-së në polici dhe administratë publike.

Në marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-së, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.

E gjithë kjo fazë ka pasur një periudhë 90 ditësh pas së cilës është bërë demilitarizimi i plotë i UÇK-së dhe në shtator 1999 është nënshkruar marrëveshja për formimin e TMK-së, jo si forcë ushtarake, siç ishte paraparë në këtë marrëveshje, por si forcë reaguese në rast të katastrofave natyrore.

Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje figurojnë Hashim Thaçi në pozitën e kryekomandantit të UÇK-së, Agim Çeku në pozitën e shefit të shtabit të UÇK-së dhe është pranuar nga gjenerallejtënant, Mike Jackson, komandant i KFOR-it.

Populli që u bë më i njohur në historinë e lashtë të Ballkanit janë Ilirët

Ilirët janë autoktonë. Kulturën, gjuhën dhe tiparet antropologjike ilirët i formuan në vendin e tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, aty ku shkrimtarët antikë i përmendin në veprat e tyre.

Trevat e shtrirjes së popullsisë ilire janë mjaft të gjera; ato përfshijnë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, që nga degët e Danubit, lumenjtë Sava e Drava, në veri, e deri te Gjiri i Ambrakisë (Prevezë), në jug, kurse në lindje deri në Vardar. Grupe të veçanta ilirësh u vendosën edhe në Italinë e Jugur. Këto janë fiset mesapet dhe japige

Emri etnik ILIR shfaqet në veprat antike që në shek. V p. K. Kurse emrat e disa fiseve ilire fillojnë e përmendën që në shek. XII nga Homeri. Por koha e formimit të etnosit ilir është më e lashtë.

Fillimet e origjinës ilire janë që në mesin e mijëvjeçarit të dytë p.K., që nga periudha e bronzit të mesëm, kur fillojnë të formohen tiparet etnike ilire.Në       epokën e hekur(mijëvjeçari i fundit p.K.) ilirët u formuan plotësisht, duke trashëguar nga epokat më të hershme eneolitike dhe të bronzit tipare kulturore gjuhësore e antropologjike etnike.

Teoria e vjetër që i bëri ilirët të ardhur nga Evropa Qendrore, në shekujt XII – XI p.K., është rrëzuar nga studimet e kryera pas Luftës së Dytë Botërore. Vetë fakti që varrimet me urna, karakteristike për popujt e Evropës Qendrore, nuk janë tipike për trevat e shtrirjes së ilirëve, por ndeshen vetëm në zona të kufizuara, të rralla, dëshmon kundër teorisë së ardhjes së ilirëve në Ballkan nga veriu. Gjurmët e kulturave të Evropës Qendrore, që ndeshen në Iliri, janë rezultat i kontakteve kulturore, tregtare e të lëvizjes së artizanëve të punimit të metaleve.

Ndër fiset më të përmendura ilire janë: taulantët, ardianët, dardanët, paionët, dalmatët, albanët, penestët, molosët, kaonët, thesprotët etj.

TAULANTËT. Banonin në zonën e Adriatikut, që nga lumi Vjosa, deri në prapatokën e Dyrrahut.

Ky fis luajti një rol shumë të rëndësishëm në historinë ilire të shek. IV – III p.K., duke u vënë në krye të shtetit ilir, të cilin e kishin krijuar më parë enkelejtë. Në trevat e taulantëve më vonë shfaqet fisi i Albanëve dhe i Parthinëve.

ENKELEJTË. Banonin në krahinat përreth liqenit të Ohrit. Ata krijuan dinastinë e parë të mbretërisë Ilire, në fund të shek. V p.K. Një nga qytetet e tyre kryesore  ishte Enkelana. Pas shek. IV ata nuk përmenden më. Në trevat e fisit të enkelejve përmenden edhe dasaretët. Enkelejtë kanë qenë peshkatarë të zotë.

ALBANËT. Banonin në prapatokën e qytetit të Dyrrahut. Kryeqendra e tyre ishte Albanopoli (Zgërdheshi i Krujës). Fisi i albanëve i dha emrin e vet shqiptarëve, gjatë mesjetës së hershme, kur ata njihen si albanë, arbër.

ARDIANËT. Fillimisht shtriheshin rreth gjirit të Rizonit dhe të lumit Neretva. Ardianët e shtrinë pushtetin e vet në të gjitha krahinat e tjera që më parë ishin nën sundimin e taulantëve. Ardianët luajtën një rol shumë të madh në luftërat kundër pushtuesve romakë, gjatë shek. III – II p.K., në kohën kur sundoi dinastia ardiane e Mbretërisë Ilire. Kryeqendra e ardianëve ishte Shkodra.

DARDANËT. Ishin fisi më i madh ilir që u vu në krye të Mbretërisë Dardane, në Ballkanin Qendror, kryesisht në Kosovë. Dy fise të tjera dardane të njohura ishin thunatët dhe galabrët. Qyteti më i rëndësishëm i dardanëve ka qenë Damastioni, i njohur si kryeqendër e nxjerrjes së metaleve. Dardanët përmenden si luftëtarë të fortë, xehetarë shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë të njohur.

DALMATËT. Banonin në brigjet e Adriatikut. Ishin blegtorë të njohur, shquheshin për punimin e llojeve të ndryshme të veshjeve prej liri e leshi. Veshja e njohur me emrin dalmatika në shekujt e parë u përdor edhe nga aristokracia romake, prej nga kaloi edhe në veshje rituale kishtare. Qyteti më i njohur i tyre ka qenë Delmini.

MOLOSËT. Janë një nga tri fiset kryesore që banonin në qendër të Epirit antik dhe që luajtën rol shumë të rëndësishëm drejtues në historinë e lindjes dhe të formimit të shtetit të Epirit.

KAONËT. Ky fis epirot kishte shtrirje të gjerë, që nga lumi Thyamios (sot lumi Kallama), deri në luginën e Drinosit, në Gjirokastër. Kryeqendra e kaonëve, Foinike (Finiqi i Sarandës), në shek. III p.K. u bë kryeqendra e gjithë shtetit të Epirit. Qytet tjetër i madh i kaonëve ishte Antigonea (Saraqinishti i Gjirokastrës).

THESPROTËT. Banonin në Epir, në jug të lumit të sotëm Kallama, deri në gjirin e Ambrakisë. Përmenden në shkrimet e lashta që nga shek. V p.K., si fis që sundoheshin nga dy kryetarë të zgjedhur çdo vit nga gjiri i parisë.

Fise të tjera të njohura janë edhe labianët (për rreth liqenit të Shkodrës), pirustët (në Mirditë) dhe parthiniet në ultësirën bregdetare të Adriatikut.

Ismail Qemal Bej Vlora i njohur thjesht si Ismail Qemali

Më 16 janar 1844, në Vlorë lindi Ismail Qemal Bej Vlora, diplomati shqiptar, politikani, rilindasi, burrë shteti dhe babai themelues i Shqipërisë moderne. Autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, i cili më pas shërbeu si Kryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë gjatë periudhës 1912-1914.

U kthye pas Revolucionit të 1908, kur nisi periudha e dytë kushtetuese e perandorisë dhe u zgjodh deputet. Shumë shpejt vërejti rritjen e tensioneve nga Xhonturqit dhe kundërshtoi fushatat që ndërmorën ndaj vilajeteve shqiptare. Bashkëpunoi për kryengritjen përfundimtare të vitit 1912 në ujdi me kolegët shqiptarë në parlament pa dallim partie që çoi në njohjen e Vilajetit Shqiptar. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike u nis nga Stambolli drejt Vjenës për të kërkuar garanci për pavarësimin e Shqipërisë.

Vinte nga familjet më të hershme të oxhaqeve bejlere, por degëzimi i tij nuk qe aq i kamur që nga kryengritjet e Tanzimatit ku u përfshi i ati. I përkrahur nga farefisi i tij, u shkollua dhe nisi karrierën si nëpunës civil i perandorisë. Pasi u mor nën patronazh nga sadrazemi i ardhshëm Mid’hat Pasha, fitoi përvojë në nivelet më të larta të administratës shtetërore osmane, nga zbatimi në terren i Tanzimatit e deri duke kontribuar në hartimin e Kushtetutës Osmane. Duke parë ngërçet e vazhdueshme dhe duke e ndjerë veten të rrezikuar nga bindjet e veta, iku në syrgjyn.

Ismail Qemali ne mosh te re

Në vitin 1877, Ismaili dukej se ishte në prag të funksioneve të rëndësishme në administratën osmane, por kur Sulltan Abdulhamidi II e shkarkoi Midhatin si kryeministër, Ismail Qemali u dërgua në mërgim në Anadollin perëndimor, megjithëse Sulltani më vonë e tërhoqi atë dhe e bëri guvernator të Bejruti. Qemali në vitin 1892 i paraqiti sulltanit një plan për një Konfederatë Ballkanike.Ai përfshinte një marrëveshje midis shteteve ballkanike dhe perandorisë, të lidhura përfundimisht me mbrojtje reciproke dhe zhvillim ekonomik të marrëveshjeve të burimeve brenda një shteti të unifikuar të Lindjes së Madhe me Perandorinë Osmane si qendër dhe kthimin e kufijve të vjetër.

Në këtë kuadër, Shqipëria si Maqedonia nuk trajtohej si shtet më vete, por si pjesë e shtetit osman.Me kalimin e kohës, rekomandimet e tij politike liberale bënë që ai të binte sërish në favorin e Sulltanit.Qemali ishte i vetëdijshëm se perandoria ishte afër ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha për shkak të krizës armene të vitit 1895.Abdulhamidi II i dha Qemalit postin e guvernatorit (vali) të Tripolit, por postin e lartë ai e shihte si internim.

Ismail Qemali 1890

Në maj 1900 Ismail Qemali hipi në jahtin e ambasadorit britanik, kërkoi azil dhe u largua nga perandoria ku për tetë vitet e ardhshme jetoi në mërgim.Qemali u nis për në Athinë dhe lëshoi ​​proklamata ku shpjegonte braktisjen e shërbimit ndaj perandorisë, ndërkohë që autoritetet osmane ishin të mërzitur me ikjen e tij. Interesimi i tij për çështjen shqiptare ishte i kufizuar derisa këto ngjarje dhe pjesëmarrja e Qemalit në lëvizjen kombëtare shqiptare shihej si një pasuri në qarqet shqiptare që do të sillte prestigj dhe do të ndikonte tek shqiptarët myslimanë për të mbështetur çështjen.

Ai gjithashtu punoi për të promovuar sundimin kushtetues në Perandorinë Osmane.Në Paris u takua me Faik Konicën dhe të dy krerët punuan së bashku për një kohë të shkurtër për çështjet shqiptare nëpërmjet botimeve të gazetave ku Qemali bënte thirrje për bashkim shqiptar, zhvillim ekonomik, përparim dhe paralajmërim për rreziqet e ardhshme të nënshtrimit nga shtetet ballkanike.

Dyshja u përplasën pasi Qemali e kishte të vështirë të punonte me Konicën, ndërsa Konitza e gjeti fokusin e tij për të qenë politikan dërrmues dhe nuk e miratoi politikën e tij pro-greke.Qemali vazhdoi të themelojë gazetën Selamet (Shpëtimi) që botohej në turqishten osmane, shqipe dhe greqisht, e cila kërkonte bashkëpunim midis shqiptarëve dhe grekëve, për shkak të interesave të njëjta gjeopolitike të të dy popujve.Disa veprimtarë shqiptarë të përfshirë në lëvizjen kombëtare i konsideruan këto pikëpamje si të dyshimta dhe një instrument të politikës greke që bënte që popullariteti i tij të zbehej tek shqiptarët.

Historia e jashtëzakonshme Isa Boletinit: Si e dëboi konsullin rus nga Mitrovica

Isa Boletini ishte një figurë e rëndësishme kombëtare, i cili iu gjend afër Ismail Qemajlit në procesin e shpalljes së pavarësisë.

Në emisionin “Dosja Historike”, që transmetohet në RTV Dukagjini historianët dhe pasardhësi i Isa Boletinit rrëfejnë veprimtarinë e tij atdhetare.

“Isa Boletini ka marrë pjesë për herë të parë në betejën e Slivovës qysh në moshën 18 vjeçare. Në histori ka hyrë me gardën e tij e cila njihet si garda e parë e Ismail Qemajlit. Pra trupat e Isa Boletinit ishin trupat e parë që i bënë sigurinë Ismail Qemajlit”, deklaron historian Frashër Demaj.

Historianët janë unik sa i përket rolit të tij gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Roli i tij ishte shumë i madh sepse mos të ishte Isa dhe luftëtarët e tij të Kosovës ndoshta nuk do ta kishim edhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai gjithmonë kishte rreth vetes mbi 500 nga djemtë më të mirë të Kosovës”, thotë historiani Shkodran Imeraj.

Përpos që Isa Boletini njihej në trojet shqiptare për kontributin e tij në çështjen kombëtare, ai njihej edhe në rrafshin ndërkombëtar për disa episode.

“Isa Boletini njihet për disa momente të caktuara historike. Ai u bë i njohur kur në vitin 1902 kishte kundërshtuar fuqishëm vendosjen e një konsulli rus në Mitrovicë. Atij iu krijua dosja në “Portën e Lartë” si një person që iu kundërvihet fuqive të mëdha siç ishin Rusia apo Perandoria Osmane në atë kohë. Vendosja e konsullit rus në atë kohë paraqiste rrezik për Kosovën dhe shqiptarinë në atë kohë. Nga ajo kohë figura e Isës u ndërkombëtarizua, ku më pas u internua dhe u dënua me vdekje. Sipas disa të dhënave ai u dënua deri në pesë herë me vdekje”, thotë profesori i historisë, Enis Kelmendi.

Stërnipi i Isa Boletinit ka ruajtur disa të dhëna të rëndësishme për të bëmat e një prej figurave më të ndritura shqiptare.

“Ne kemi trashëguar një dokumentacion nga këshilltari i Isës, Tafil Boletini. Unë jam brezi i tretë i Isa Boletinit dhe historinë e tij e kam mësuar në shtëpi nga sekretari dhe nipi i Isës, Tafil Boletini”, thotë Gazmend Boletini.
Pasardhësi i Isës thotë se ka marrë shumë dokumente arkivore për stërgjyshin në Turqi.

“Të gjithë shqiptarët që kishin telashe i drejtoheshin shtëpisë së Isa Boletinit. Shtëpia e tij ku ka qëndruar në Beshiktash ishte njëlloj ambasade. Turqia e mbante Isën për shkak se ai ishte një kundërshtarë i Rusisë, mirëpo me fillimin e luftës mes Turqisë dhe Japonisë ai në vitin 1906 kthehen në Kosovë, ku edhe këtu shkaktohen lëvizje”.

Historiani Frashër Demaj ka thënë se bashkëpunimi i Isa Boletinit me Perandorinë Osmane ishte i natyrshëm pasi nuk kishte mundësi tjera të çohet para çështja shqiptare.

“Është e vërtet se Isa Boletini bashkëpunoi me osmanët, pasi në situatën që ndodheshin shqiptarët nuk mund të zhvilloheshin të izoluar. Ai bashkëpunoi me osmanët edhe kundër serbëve dhe malazezëve. Bashkëpunimet kanë qenë në interesa të përbashkëta dhe asesi ai nuk ka qenë shërbetor i ndokujt”, thotë Demaj.

Profesori i historisë Enis Kelmendi thotë se Isa Boletini nuk u shantazhua nga askush dhe ai në raportin mes serbëve dhe osmanëve zgjodhi të jetë neutral.

Historiani Frashër Demaj thotë se pas ardhjes së xhonturqve në pushtet, Isa Boletini arriti ti bashkojë shqiptarët e Kosovës për tu kundërvënë pushtetit të turqve të rinj.

Isa Boletini u vra nga serbo malazezët në afërsi të Podgoricës.

“Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Isa Boletini nuk u ndie i sigurt as në Kosovë e as në Shqipëri dhe vendosi të shkojë në Podgoricë, pasi aty e kishte konsullatën Austro-Hungaria. E ky vend në atë kohë kishte simpati për Isa Boletinin dhe shqiptarët”, tregon Shkodran Imeraj.

Në vrasjen e Boletinit ishin të implikuara personalitete nga Mali i Zi, pasi ata e donin Isën të vdekur.

“Dy orë para ardhjes së Austro-Hungarezëve u vra Isa Boletini. Po të arrinin ato trupa situata do të ishte ndryshe pasi Boletini do të kishte mbrojtjen e Austro-Hungarezëve. Trupat malazeze e kanë vrarë befasisht në pabesi Isa Boletinin në urën e Ribnicës, kur ai me shokët e tij po kalonte andej”, tregon Frashër Demaj.

Isa Boletini kishte lënë pesë djem dhe nëntë vajza, të cilët sot janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës.

“Pas ardhjes së komunistëve familja e Isa Boletinit u përndoq dhe u detyruan të emigrojnë në të gjitha anët e botës. Sot në Kosovë jam kthyer vetëm unë ku ushtroj punën e ciceronit në kompleksin e kullave të tij”, shprehet Gazmend Boletini, pasardhës i Isa Boletinit.

A kishte karakter diktatorial qeveria e Fan Nolit?

Pas grushtit të shtetit të qershorit 1924, më 16 qershor 1924 u formua qeveria e Fan Nolit. Kryeministri u përzgjodh me short.

Në lojë ishin edhe dy figura të tjera, ish-kryeministra. Regjenti i vetëm i mbetur, Sotir Peci, e priti me shumë pakënaqësi zgjedhjen e Fan Nolit. Ai parashikoi se “ky këmbëters do të na shpjerë të gjithëve në mjerim”.

Qeveria zotohej të bënte çarmatimin e përgjithshëm, të dënonte “shkaktarët e vëllavrasjes”, të sillte qetësinë në vend, të lartësonte autoritetin e shtetit, të çrrënjoste feudalizmin, të reformonte administratën, të riorganizonte pushtetin vendor, të baraspeshonte buxhetin me kursime të forta, të ndërronte sistemin e taksave, të përmirësonte gjendjen e bujkut, të lehtësonte hyrjen e kapitalit të huaj, të lartësonte prestigjin e shtetit shqiptar, të garantonte pavarësinë e sistemit gjyqësor duke përfshirë edhe një reformë në të, të rregullonte komunikacionin e vendit, të organizonte degën e shëndetësisë, atë të arsimit si dhe të kishte marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet e sidomos me fqinjët.

Qeveria nuk e fshihte karakterin diktatorial të saj, por nuk kishte mjetet e duhura ta realizonte këtë. Ajo nisi procese politike të kundërshtarëve politikë të saj. Ata që nuk mundi t’i arrestonte, i shpalli në listën bashkëlidhur.

Kush ishte patrioti shqiptarë Ukshin Hoti ?

Është një ndër intelektualet më të arsimuar në Kosovë! Ai kishte qenë edhe ligjerues në disa universitete në SHBA ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. Historia e zhdukjes së Ukshin Hotit mbetet e mistershme. Njeriu që punoi shumë për filozofinë e çlirimit të Kosovës, i përndjekur vazhdimisht nga forcat jugosllave, prej majit të vitit 1999, ka humbur gjurmët.

Më 16 maj 1999, atëherë kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha, Ukshin Hoti arrin ta përfundojë dënimin e tij politik në burgun e Dubravës. Por dhe pse u lirua ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitraloz, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.

Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes më 24 maj të vitit 1999. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.Hoti ishte veprimtar dhe intelektual i shquar politik në Kosovë.

Detaje

Ukshin Hoti ka lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të madhe në komunën e Rahovecit të Kosovës. Është më i madhi prej 6 fëmijëve të familjes(2). Nëna e tij Fatimja është një amvise ndërsa babai i tij mban një kioskë gazetash përballë shkollës së fshatit. Në këtë shkollë, Uka siç ju pëlqen prindërve të tij ta quanin, filloi studimet e tij. Shkolla e fshatit ofronte vetëm mundësinë për të kryer katër vite të shkollimit fillor. Për këtë arsye katër vitet e fundit i vazhdon në fshatin Rogovë të Hasit. Në moshën 15 vjeçare, prindërit e regjistrojnë në « Shkollën Normale ». Pasi kryen katër vitet e para në Prizren dhe të fundit në Prishtinë. Ky nivel arsimor i mundëson atij të japë mësim në 1963 në fshatin e tij të lindjes. (Shih foton nr. 3 të galerisë me poshtë). Megjithatë Ukshin Hoti dëshiron të ndjekë studime universitare. Sipas vëllait të tij Afrimit, ai në 1964 regjistrohet fillimisht në fakultetin e mjekësisë në Zagreb. Pastaj, me këshillë të profesorëve të tij ai shumë shpejt riorientohet në shkencat politike. Vëllai i tij Ragipi e përcjellë dhe pajtohet të bëjë punë fizike për të financuar shkollimin e vëllait të tij. Këtu është një dëshmi e nënës së Ukshin Hotit për shkollimin të fëmijëve të saj:

« Prej fëmijëve Ragipin dhe Hidajetin nuk patëm mundësi t’i shkollonim. Ragipi punonte si punëtor fizik për ta ndihmuar Ukën derisa ishte në studime. Dy vajzat Myrveten, Resmijen dhe djalin Afrimin i dërguam në shkollë. »

Në Zagreb Ukshin Hoti jep shenjat e para të aktivizmit: ai organizon protesta kundër luftës në Vietnam(3). Në fund të studimeve të tij në vitin 1968 ai vazhdon studimet pasuniversitare në Beograd në drejtimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomisë ndërkombëtare. Paralelisht me studimet e tij, ai kryen në të njëjtin qytet edhe shërbimin ushtarak (Shih foton nr. 4 të galerisë me poshtë). Nga 1969, ai do të shkruaj artikuj të ndryshëm në rubrikën e punëve të jashtme të gazetës «Rilindja». Në shkurt të 1970-së ai angazhohet në administratën shtetërore, më saktësisht në komisionin ndërkombëtarë për bashkëpunim me LSPPJ (Lidhja Socialiste Popullore Për Jugosllavinë) ku punon deri në maj të vitit 1972. Në kuadër të kësaj ai është i deleguar për një mision paqeruajtës në Angola për një periudhë 4 mujore dhe sipas vajzës së tij Erleta Hoti në Indi për një periudhë 2 mujore.

Në prill 1972 ai emërohet sekretar i sekretariatit për marrëdhënie më jashtë. « Ky emërim bie në kundërshtim me disa kuadro të larta të atëhershme të Kosovës » dëshmon nëna e tij Fatimja duke mos zbuluar emra. Për këtë arsye ai shpërngulet në Prishtinë për të marrë funksionet e tij. Gjatë mandatit të tij, Ukshin Hoti është edhe një ndër arkitektët e marrëveshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo u ka mundësuar disa profesorëve të Shqipërisë të vijnë të vendosen në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës(4). Për shembull: Arben Puto që ka ligjëruar histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare deri më 1980. Ky bashkëpunim ishte një përparim madhor për shqiptarët e Kosovës edhe përkundër rrezikut që merrnin të dy palët : për Jugosllavin që shihte shqiptarët e Kosovës të ushqeheshim me kërkesat për pavarësi dhe për Shqipërinë e Enver Hoxhës, që ishte e izoluar, duke lejuar pasqyrimin e një boshllëku të formuar, duke u lejuar arsimtarëve të saj të punonin në një shtet më të hapur drejt perëndimit. Megjithatë, hendeku ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve tjera Jugosllave po thellohej edhe më shumë. Duke mos pasur mundësi për të reaguar në punët e brendshme të Kosovës, por sidomos duke mos mundur t’iu përgjigjet nevojave të rinisë shqiptare, duke vënë në pyetje situatën socio-ekonomike dhe duke pretenduar më shumë të drejta dhe liri, Ukshin Hoti më 1977 jep dorëheqje nga posti i sekretarit për marrëdhënie me jashtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në vitin 1978, pasi ka fituar bursën « Fulbright »(5), Ukshin Hoti udhëton për në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar një specializim në Universitetin e Washingtonit, Çikagos po ashtu edhe të Harvardit, ku punon si shkencëtarë i pavarur. Gjatë qëndrimit të tij, ai merr pjesë në simpoziume të ndryshme të organizuara prej anëtarëve të kongresit dhe senatorëve amerikanë. Këtu është një shkëputje e marrë nga deklarata e tij e mbrojtjes në 1994 ku ai flet për jetën e tij :

« Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA. [..] I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike. [..] Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që m’u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozicionohesha në raport me të. [..] Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. »

Gjatë qëndrimit të tij, Ukshin Hoti tenton t’ua demonstrojë amerikanëve kompleksitetin e situatës në Ballkan dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, për shkaqe ekonomike, çështja shqiptare në sy të amerikanëve lihet anësh. Që në vitin 1977, përmendej pavarësia e Kosovës si një mënyrë që do sillte stabilitet në Ballkan thotë Steven Larabee, anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter dhe mik i Ukshin Hotit ; tash është në pyetje një Shqipëri e bashkuar vetëm nën Jugosllavinë. Këtu është një tjetër shkëputje nga deklarata e tij e mbrojtjes për këtë çështje :

« E di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA.[..] Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. [..] Lidhur me këtë çështje ata (Amerikanët) rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. [..] Prandaj ranë në konkluzionin se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishëve sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin.»

Duhet të theksohet se Jugosllavia, në dyert e Evropës, ishte një ndër shtetet më të hapura nga blloku komunist. Për atë shkak në vitet 70, afaristët zviceran dhe gjerman shkonin dhe kërkonin punëtorë krahu në Jugosllavi dhe se Ukshin Hoti në mesin e qytetarëve të tjerë të Jugosllavisë të ketë mundësi të shkollohet në Shtetet e Bashkuara. Sa i përket arsyes se çfarë e shtyu Ukshin Hotin të largohet, sipas shokut të tij Bislim Elshani, ishte se estabilishmenti i Kosovës i personalizuar ndër të tjera nga Mahmut Bakalli, dëshironte ta largonte personin që ai ishte : shqetësues me pretendimet për Kosovën. Kjo në interes të Kosovës dhe të tij me që kishte mundësin të shkollohet jashtë vendit. Sa u përket privilegjeve që kishte marrë ai në Shtetet e Bashkuara përsëri sipas Bislim Elshanit, ishte falë personit të tij, kulturës që ai kishte dhe të kuptuarit e tij për shoqërinë dhe për demokracinë Amerikane që ai e njihte përmes Aleksis dë Tokvil, njërit prej autorëve të tij të preferuar.

Demonstratat studentore

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1979, Ukshin Hoti vendoset në Prishtinë dhe bëhet profesor në Universitet, në fakultetin e Drejtësisë dhe të Filozofisë, ku ligjëron Sociologjinë Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ai, gjithashtu ligjëron në shkollën politike “Eduard Kardel”, në Prishtinë. Fillimi i viteve të 80-ta është një pikë kthese për Kosovën gjithashtu edhe për Ukshin Hotin, i cili do të hyjë në një rrugë pa kthim. Në fakt, me datën 4 maj 1980, vdes Tito. Ky i fundit, në mënyrë që t’i qetësojë tensionet ndëretnike në rajon, ia kishte dhënë Kosovës në vitin 1974, statusin e krahinës autonome (Por, përsëri nën autoritetet serbe). Megjithatë, kjo nuk mjaftonte për popullin shqiptar, i cili aspironte për më shumë të drejta dhe liri brenda Jugosllavisë. Këta të fundit, asokohe kërkonin haptas një Republikë të Kosovës me të drejta të barabarta me Republikat tjera të Jugosllavisë(1). Shqiptarët e Kosovës fillojnë të organizohen, në veçanti studentët. Me 11 mars 1981 fillojnë demonstratat studentore, duke grumbulluar mijëra studentë nëpër rrugë, lëvizja zmadhohej gradualisht gjatë javëve. Po ashtu, klasa punëtore protestonte, duke brohoritur parullën “Kosova Republikë”.

Grevat dhe protestat shpërthyen kudo në Kosovë, ndërkohë që lëvizjet për pavarësi nisen të formohen në çdo vend. Autoritetet serbe kryejnë arrestime masive dhe organizojnë një mbledhje në Universitetin e Prishtinës me qëllim që ta diskreditojnë revoltën, duke e shtyrë nomenklaturën e Kosovës dhe mësimdhënësit shqiptarë që t’i mbështesnin politikat e tyre. Në këtë mbledhje Ukshin Hoti më 19 nëntor 1981, ndryshon kahun e kësaj të fundit duke dëshmuar shkencërisht funksionalizimin dhe të mirat që do të sillte një republikë e Kosovës në Jugosllavi, duke thënë se do ta përforconte stabilitetin e kësaj të fundit. Nomenklatura shqiptare e Kosovës e personifikuar ndër të tjera me Fadil Hoxhën, Azem Vllasin si dhe me një numër intelektualësh nga shoqata e shkrimtarëve të Kosovës nuk e mbështesnin këtë revoltë, duke u bërë thirrje studentëve që ta qetësojnë situatën. Disa shqiptarë e shihnin këtë thirrje si një frikë e hershme e hakmarrjes serbe, ndërsa ithtarët do të flasin për një strategji afatgjatë.

Populli shqiptar i Kosovës ende nuk ishte i gatshëm për të marrë rreziqe të tilla në një Jugosllavi, në të cilën filluan të vëreheshin ndjeshmëritë e rënies ekonomike dhe një nacionalizëm serb në rritje. Ukshin Hoti nuk ishte i këtij mendimi, ai e merr përsipër sfidën për të treguar në mënyrë të qartë qëllimet dhe qëndrimet e tija rreth bashkimit të shqiptarëve, që sipas tij, kishin arritur pjekurinë për vetëqeverisje dhe që demokracia e shqiptarëve të Kosovës kishte lindur vetëvetiu, pa ndikime të jashtme. Kjo është ajo që më vonë, Ukshin Hoti do ta përshkruante si “Demokracia Autentike”. Protestat studentore do të shkaktojnë shumë trazira në Jugosllavi : 1298 studentë u arrestuan dhe 1019 prej tyre u dënuan(2), ndër ta edhe vëllai i vogël i Ukshin Hotit, Afrim Hoti, kur ai ishte vetëm 17 vjeç(3). Një pjesë e atyre që arritën të shpëtonin u detyruan të largoheshin në mërgim, kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani. Gjithmonë të kërkuar nga autoritetet serbe, këta studentë të përjetshëm duhej të prisnin deri në fund të luftës së vitit 1999, që të mund të ktheheshin në tokën e tyre.

Pas revoltës, pushteti serb lëshon një proces për të prishur rinin shqiptare nga nacionalizmi, që sipas Beogradit ishte manipuluar dhe indoktrinuar nga lëvizjet marksiste-Leniniste të Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare, ndërmjet viteve 1981 dhe 1988, 584’373 shqiptarë do të vendosen në paraburgim dhe merren në pyetje(4), pra një e treta e popullsisë shqiptare të Kosovës. Për Ukshin Hotin, ishte e pamundur që një numër aq i madh qytetarësh të jetë i indoktrinuar. Sipas tij, pretendimet e shqiptarëve ishin legjitime, duke e pasur parasysh gjendjen e tyre ekonomike dhe që këto arrestime ishin thjeshtë një hakmarrje prej aparatit shtetëror serb lidhur me ata që i konsideronte si qytetarë të saj. Sa i përket Ukshin Hotit ai do të arrestohet 2 ditë pas mbledhjes dhe zemërimi jugosllav i bie në të me datën 21 maj te vitit 1982 : ai do të dënohet me 9 vite burgim për mbështetjen e revoltës. Këtu paraqitet një fragment i aktakuzës së dhënë nga gjyqtari Metush Sadiku nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës :

« Vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ-së ».

Gruaja e Ukshin Hotit, Edi Shukriu do të ndërmarrë hapa të ndryshëm për t’i bërë apel vendimit të gjykatës së Prishtinës. Ajo më në fund do t’ ia arrijë qëllimit pas dërgimit të një letre të datës 5 prill 1983, drejtuar gjykatës së Beogradit. Atëherë dënimi do të zvogëlohet në 3 vite e gjysëm burg duke u vënë në dukje se akti i gjykimit të tij nuk kishte ndonjë bazë ligjore. Pas arrestimit të vitit 1981, Ukshin Hoti vuajti dënimin fillimisht në burgun e Prishtinës, më pas në burgun e Zagrebit dhe në fund në burgun e Lubjanës. Pastaj do të transferohet në burgun e Gjilanit. Në këtë të fundit, librat dhe stilolapsat janë të ndaluara, atëherë Ukshin Hoti, sipas Ismail Begollit një shok burgu, do të futet në një grevë urie 12 ditore për t’u transferuar përsëri në burgun slloven ku kishte qasje në lexim dhe shkrim dhe në kushte më të mira pune, por fatkeqësisht pa ja arritur qëllimin. Familja e tij paguan një çmim të rëndë për shkak të dënimit të tij ; në fakt, motra e tij arsimtare, Myrvetja, në Krushë të Madhe shkarkohet nga puna. Ndërsa, motra tjetër Resmija, që sapo kishte përfunduar studimet nuk do të mundë ta ushtrojë profesionin e saj si arsimtare. Ja një fragment ku Ukshin Hoti flet për rininë dhe revoltën studentore :

“Në vitin 1981 i kisha parë shokët e tyre në aksion. Kisha qenë në afërsi të tyre, e ndonjëherë edhe midis tyre dhe milicisë. I kisha soditur fytyrat e tyre «të nxira» nga «betejat», të egërsuara, të zbehura nga lodhja apo të skuqura; sytë e tyre të përlotur nga gasi, por edhe nga dhembja; gjymtyrët të dërrmuara nga vrapi ose nga përleshjet me të rinjtë tjerë të veshur me uniforma. Nuk kisha mundur t’i mendoja si armiq, si të indoktrinuar, e as si kontrarevolucionarë. E kisha fituar përshtypjen e një mllefi të përgjithshëm, të shkaktuar jo vetëm nga momenti aktual, por edhe nga e tërë historia. Për këtë shkak, kur politika me arrogancë kishte kërkuar prej meje që të ndikoja në ndërprerjen e tyre, kisha kuptuar se ajo kishte dështuar. Nuk provova t’i ndërprisja, por as nuk dëshiroja të vriteshin mes vete. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen « më të madhe se nemitja», kisha vendosur të mbetesha pranë tyre. Dhe, mbeta pranë tyre, edhe atëherë kur u vetëlind Kosova, por edhe atëherë kur u vranë dhe kur u inaugurua demokracia.

I vështroja nëpër burgje; i vështroja edhe ata që i mbanin uniformat. Të dy palët më dukeshin të burgosur. Shpirtërisht, – veniteshin ata që i mbanin automatikët dhe uniformat; fizikisht, – rrënoheshin këta që ishin brenda grilave. Për këtë shkak, në bisedën e heshtur me heshtjen «më të heshtur se nemitja», befas kisha pyetur: në emër të cilës politikë dhe të çfarë principeve politika i kishte quajtur të parët kundërrevolucionarë, ndërsa të dytët i kishte armatosur për t’i ndjekur të parët? Përse kishte heshtur Evropa? Këta të rinj, të etur për dije, të lënduar nga heshtja, të rënë në kundërshtim me moshën, por të vendosur që me çdo kusht ta krijonin botën e tyre, kishin qenë bartësit e ngjarjeve të vitit 1981. Kishin qenë gati fëmijë. Bile, nuk kishin qenë të vetëdijshëm as për peshën e veprave «të inkriminuara», e as për peshën e ngjarjeve që i kishin iniciuar. Në bisedën e heshtur me veten e kishin ndërtuar botën e ëndrrave të tyre. U ishte dukur se e kishin pasur për detyrë t’i kontribuonin krijimit të botës së ëndrrave të tyre dhe nuk i kishin menduar rrjedhimet eventuale as për veten, as për familjen, as për rrethin.

Në fillim nuk i kishin kuptuar as vlerësimet politike për atë që kishin bërë. Pastaj ishin habitur me ato që i dëgjonin për veten dhe më në fund, të rezignuar, i kishin besuar vetëm vetes dhe qëllimit të tyre.[…] Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues.“

Izolimi

Në prill të vitit 1985, Ukshin Hoti lirohet, por gradualisht detyrohet të izolohet në fshat. Jeton në kushte të izolimit ekstrem dhe nuk ka të drejtë të merret me çfarë do aktiviteti politik dhe pedagogjik. I merret pasaporta dhe ruhet nga policia serbe dhe shërbimet sekrete. Për banorët e fshatit ai bëhet i pafrekuentushëm. Në fakt, represionet ndaj shqiptarëve rriten që prej revoltave studentore dhe këta të fundit duan t’ju shmangen telasheve. Ky ishte edhe njëri prej qëllimeve të izolimit të tij: ta ndajnë nga populli, ta shkatërrojnë moralisht si dhe t’i asgjësojnë synimet e tij për Kosovën. Në këtë kohë ai nuk kishte asgjë tjetër veç se të merret me bujqësi dhe sipas motrës së tij Myrvetes, t’ju përkushtohet studimeve të tij shkencore dhe punimit të tij të doktoraturës. Këtë të fundit e ka filluar në vitin 1980 dhe ka pasur për temë : « E drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar krahas faktorit ndërkombëtar ». Por, pas burgosjes, banesa e tij është kontrolluar disa herë me qëllim gjetjen e punimeve të tija. Punimi tij i doktoraturës është fshehur në vende të ndryshme nga familja e tij. Vëllai i tij Ragipi, do ta marrë përgjegjësinë për të groposur punimin në fshatin e tij të lindjes, por si përfundim ajo do të digjet në shtëpinë e prindërve të tij gjatë luftës. Sipas djalit të Ukshin Hotit, Andinit një tjetër punim i doktoraturës ka qenë i filluar nga babai i tij dhe kishte për temë : « Kosova, si një faktor i stabilitetit politik ». Ajo duhej të mbrohej në Gjermani, por burgosja e tij në vitin 1994 nuk ia mundësoi këtë gjë.

Në vitin 1989, Millosheviçi zgjidhet kryetar i Republikës së Serbisë dhe që në fillim e heq autonominë e Kosovës, duke ngritur kështu shumë pakënaqësi dhe protesta. Në kohën kur bie muri i Berlinit me 9 nëntor 1989, për shqiptarët nuk është më në pyetje Republika e Kosovës, por bëhet fjalë për të luftuar për ta mbrojtur autonominë. Në vitin 1990, Ukshin Hoti do të largohet për në Lubjanë, atje ku shtypi nuk ishte ende i censuruar. Filloi të shkruante për dy gazeta shqiptare : “Alternativa” dhe “ Republika”. Më pas, “të orientojmë politikisht opinionin Kosovar drejt qëllimeve tona për pavarësi”, thot Bislim Elshani, Ukshin Hoti me këtë të fundit dhe me Rexhep Hotin themeloi revistën “Demokracia Autentike – DeA ” ku punoi si redaktor i saj. Këto gazeta do të mbyllen në vitin 1991. Sipas Bislim Elshanit, ishin autoritetet serbe që do ti shtyjnë këto gazeta drejt mbylljes, me pretendimin se shitjet janë në rënie ku përkundrazi ato ishin në rritje. Ukshin Hoti detyrohet të kthehet në Krushë të Madhe, ku vazhdon studimet e tija shkencore dhe merr përsipër angazhimin e flaktë për vetëdijesimin kombëtarë në zonat rurale. Përderisa, institucionet e fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës shkojnë drejt mbylljes prej vitit 1990, Rektorati dhe mësimdhënësit do të organizohen për t‘ju mundësuar studentëve, vazhdimin e studimeve. Atëherë mësimet do të ligjërohen nëpër shtëpi private, xhamia, garazhe dhe lokale të ndryshme. Ishte viti 1992, kur një grup studentësh sipas Bajram Hotit, bën kërkesën pranë Fakultetit të Filozofisë që t’i mundësohet Ukshin Hotit, kthimin për të ligjëruar në këtë fakultet, gjë që do ta bëjë deri në vitin 1993.(5)

Në vitin 1992, në fshatin Brestovc, Ukshin Hoti organizon një homazh për viktimat e vrara nga policia serbe dy vjet më parë në një demonstratë për Republikën e Kosovës. Ai dënohet për këtë në vitin 1993 me 55 ditë burgim. Në vitin 1992, në rrethana të panjohura ai largohet nga LDK-ja, në të cilën ishte anëtarësuar më 1991. Në të njëjtin vit, ai shkon në Tetovë në një tubim kombëtar të organizuar nga shqiptarët. Ai mban një fjalim, ku përkrahë haptas bashkimin kombëtar brenda një shteti Shqiptar. Në maj të vitit 1993, me shokun e tij Agron Limanin, ai shkon në pallatin e shtypit të gazetës “Rilindja”, që kërcënohej me mbyllje, ku Adem Demaçi dhe aktivistë të tjerë bëjnë grevë urie për të përkrahur lirinë e medieve. Gjatë rrugës së kthimit, ata ndalohen në një post bllok policor në Komoranë. Pasi kontrollit së identitetit të tyre, ata merren dhe dërgohen në stacionin e policisë në Gllogovc. Aty Ukshin Hoti merret në pyetje dhe Agron Limani rrihet nga policia. Pas lirimit të tyre, në dalje të qytetit, ata përsëri ndalen dhe rrihen nga 14 policë serb. Policia i qëllon me shqelma dhe me kondakët e pushkëve, duke i shkaktuar kështu Ukshin Hotit plagë të rënda trupore: fytyra e tij ishte e ënjtur dhe i kishin thyer dy brinjë (shih foton nr. 5 të galerisë me poshtë). Në shënjestër të autoriteteve serbe, ky paralajmërim është shenjë e qartë që ai duhej të tërhiqet nga çdo tentativë për Kosovën. Megjithatë bindjet dhe veprimtaria e Ukshin Hotit janë të patunduara. Ai haptazi ekspozon synimet e tija të reja dhe vazhdon thirrjet ndaj shqiptarëve nëpërmjet konferencave të ndryshme për të mbështetur bashkimin kombëtar.

Mund të habitemi me ndryshimin e mendimit politik të Ukshin Hotit: Në fillim ai përkrahte një Republikë të Kosovës brenda Jugosllavisë, tani punon me qëllimin që të shoh një Shqipëri të bashkuar. Sipas Bislim Elshanit, ideja për një Shqipëri të bashkuar ka qenë gjithmonë e pranishme tek Ukshin Hoti. Republika e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë ishte pjesë e procesit normal me mundësi për të arritur këtë qëllim me gjithë legjitimitet. Këtu paraqitet një fragment në lidhje me Republikën e Kosovës në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare” :

“Republika e Kosovës, si do që të duket, mund të konsiderohet zgjidhje e pjesshme, paliative(6) e çështjes shqiptare. Mirëpo zgjidhjet paliative të çështjeve të mëdha mund të konsiderohen dhe janë cilësi e luftës politike dhe produkt i mençurisë së faktorit politik shqiptar në vlerësimin e tërësishëm të rrethanave, rrugës së zhvillimit të proceseve dhe synimeve përfundimtare të tyre.”

Para vitit 1990, bashkimi me Shqipërinë do të thoshte luftë me Serbinë. I vetëdijshëm për forcat ushtarake në të gjitha anët nuk mund ta rrezikonte edhe integritetin territorial të Shqipërisë. Pastaj, lind pyetja se pse pikërisht pas vitit 1990 ai kërkonte një Shqipëri të bashkuar? Arsyeja është se ngjarjet e përshpejtuara, përkatësisht për heqjen e autonomisë në vitin 1989, e kanë përshpejtuar edhe idenë e tij për bashkim. Përveç kësaj, shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashmangshme. Në fakt Serbia, i shpallë luftë Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 1991. Dridhjet e rrëzimit të murit të Berlinit ndjehen po ashtu në Shqipëri, revoltës studentore i jepet fund në dhjetor të vitit 1990, më tepër se 40 vite pas komunizmit. Këto rrethana e përforcojnë mundësinë e një bashkimi të Kosovës dhe Shqipërisë. Në Kosovë, lufta është e pashmangshme ; në një fjalim më 7 korrik 1991, Ukshin Hoti kërkon që të krijohen organet policore dhe ushtarake për të përgatitur fushën, por pragmatizmi i tij i tremb bashkëqytetarët. Megjithatë, pikërisht kjo ndodhi : Ushtria Çlirimtare e Kosovës filloi të krijohej

Atëherë kur i hiqet izolimi nga shoqëria pas nëntë vitesh, partia politike “UNIKOMB” i propozon Ukshin Hotit të jetë kryetarë i saj. Më 17 maj 1994, rrugës për në Prishtinë për të marrë postin e tij të ri, ai ndalohet nga policia serbe dhe burgoset në Prizren. Ai akuzohet se është anëtarë i lëvizjes ilegale në Kosovë (LPRK)(7) dhe se ka themeluar gazetën “DeA”, nën qeverisjen dhe financimin e këtij të fundit. Po ashtu, akuzohet se është anëtarë dhe kryetar i partisë “UNIKOMB”, që konsiderohej ilegale(8). Gjatë gjykimit, është dëshmuar se ai nuk është anëtarë i lëvizjes “LPRK”, se gazeta ishte një gazetë e ligjshme dhe e pavarur dhe se partia e tij ishte e regjistruar në përputhje me ligjin jugosllav. Megjithatë, ai dënohet me 5 vjet burgim për ndërmarrjen e veprimeve antikushtetuese duke e rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë(9). Atëherë, ai transferohet në burgun e Dubravës, pastaj në Nish, në Mitrovicën e Sremit, për t’u rikthyer më pas në Nish.

Burgosja e fundit

Gjatë burgimit të tij, partia “UNIKOMB”, lufton për lirimin e tij, duke u përpjekur ta bëjë të njohur Ukshin Hotin dhe mendimet e tija jashtë kufijve të Kosovës. Shkrimi i aktit të tij të mbrojtjes, është përkthyer në disa gjuhë dhe është shfrytëzuar si mundësi për ta bërë atë të njohur. Shoku i tij Bislim Elshani, po ashtu nxjerrë një broshurë në lidhje me Ukshin Hotin : “Politika në Pranga”. Rasti i Ukshin Hotit më në fund bie në veshët e Parlamentit Evropian. Kështu, kur fillon lufta në Kosovë në mars 1998, bëhet një kërkesë në Këshillin Evropian që autoritetet e Beogradit ta bëjnë lirimin e parakohshëm të Ukshin Hotit. Ndonëse KNKK-ja e ka takuar më 1 mars 1999, nuk është vënë as në pyetje që Beogradi ta falte. Në tetor Parlamenti Evropian, me qëllim ta forcojë lirimin e tij, vendos ta nominojë për çmimin Saharov(10). Megjithatë, është Ibrahim Rugova që e fiton këtë çmim në dhjetor të vitit 1998. Në shkurt të vitit 1999, gjatë konferencës së Rambujesë, që kishte për qëllim ta ndalojë luftën në Kosovë, përfaqësuesit e Kosovës të ballafaquar me përfaqësuesit serbë kërkojnë sipas Hydajet Hysenit, atëherë anëtarë i delegacionit shqiptar, lirimin e Ukshin Hotit me qëllim që të mund të marrë pjesë në marrëveshjet me Kosovën. Gjë që Serbia e refuzon edhe një herë.

Në burg Ukshin Hoti ka qasje në një numër të kufizuar librash, megjithatë ai vazhdon të shqyrtojë mendimet e tij dhe vazhdon të shkruajë. Ai po ashtu, mban një korrespondencë me shkrimtarin Ismail Kadare. Këto shkrime do të publikohen në vitin 2000, me titull : “Bisedë përmes hekurash ». Me 1995, shoku i tij Bislim Elshani bashkon një numër të shkrimeve të tij dhe i publikon ne librin e tij të dytë : « Filozofia politike e çështjes shqiptare ». Ai po ashtu komunikon, me familjen e tij përfshirë këtu edhe motrën e tij Myrveten, e cila rrëfen në një letër që vëllai i saj i kërkon që ajo ta mbajë premtimin e dhënë, gjë që kjo e fundit nga pamundësia fatkeqësisht nuk e mbajti: të kujdesej për bibliotekën dhe shkrimet e tij. Në fakt, fshati i lindjes së Ukshin Hotit bombardohet më 25 mars të vitit 1999. Më pas, forcat serbe hyjnë në fshat duke krijuar një kaos tek banorët. Policia serbe depërton në shtëpinë e Ukshin Hotit dhe atë të prindërve të tij, shkatërruan gjithçka dhe në fund i vënë flakën. Flaka morri me vete kështu edhe librat e Ukshin Hotit, shkrimet dhe dy punimet e tij të doktoraturës që deri në atë kohë nuk pati mundësi për t’i mbrojtur. Ndërsa banorët e fshatit marrin arratinë dhe gjejnë strehim nëpër vreshta dhe kodra. Kështu familja e Ukshin Hotit ndahet me dhunë nga policia serbe. Vëllai i tij Ragipi, duke dashur të gjej gruan dhe vajzën e tij kthehet në fshat, për të mos u kthyer më. Trupi i tij i pajetë do të gjendet 53 ditë më vonë. Prindërit e Ukshin Hotit shkojnë në një fshat të afërt, në Nagavc ku gjinden mijëra banorë të ardhur nga fshatrat për rreth. Edhe këtu fshati bombardohet dhe Nazifi, babai Ukshin Hotit plagoset në krah nga një shpërthim i granatës. I moshuar, i ndjeshëm dhe në pamundësi për t’u shëruar, ai do të ndërron jetë nga plagët e marra më 18 prill të vitit 1999.

Në këtë periudhë, kur Ukshin Hoti po vuante dënimin e tij në burgun e Nishit në Serbi, ai dhe shumë të burgosur të tjerë do të transferohen sërish në burgun e Dubravës. Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, e diel, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk do ta shohim më. Fati i tij ishte në duart e pushtetit serb.

Me 19 maj 1999, burgu i rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptar nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut. Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. OJQ-ja « Human Right Watch » shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre.