“Do t’i drejtohem personalisht Këshillit të Europës për përrallat e Dick Martyt”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se do të udhëtojë drejt Strasburgut për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për çështjen e akuzave të ish-senatorit zviceran, Dick Marty kundër krerëve të UÇK-së, raporton Gazeta Express.
Rama tha se është shqetësuese se si akuzat mbi të cilat u ngrit Gjykata Speciale nuk janë në aktakuzat kundër krerëve të UÇK-së. Ai e quajti të pabazueshëm raportin e Martyt.
“Do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për një fakt që bëhet gjithnjë e më shqetësues. Është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martyt dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një Shtëpie të Verdhë e trafikimit të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikimit të organeve është akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse. Duke pasur parasysh dhe në Këshillin e Sigurimit Rusia ka goditur sërish me një fjalim të ambasadorit të saj duke u kthyer tek trafikimi i organeve”, tha ai.
Rama tha se bota duhet të dëgjojë te vërtetat mbi akuzat e ngritura dhe ato mbi të cilat vepron Gjykata Speciale.
“Nuk ka asnjë fakt të lidhur me Dick Martyn e raportin i tij që ishte shkaku pse u mor rruga drejt Gjykatës Speciale. Për këtë dikush të hapë veshët, në mos të përgjigjet, të paktën duhet të dëgjojë. Bota duhet ta dëgjojë. Sponsorët e atij tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai tribunal është projektuar për t’u dhënë përgjigjeve akuzave të Dick Martyt. Nuk ka asnjë gjë në atë akuzë. Zero. Kemi të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën e shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, tha Rama.
Në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë po mbahen ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës ata për disa krime që Prokuroria thotë se i kanë ditur ose të paktën është dashur të kenë dijeni.