E FUNDIT: Kosovës po i largohen sanksionet ?!
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se personalisht e mbështet heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe tha se kjo është një ndër çështjet që duhet të adresohet.
Kur u pyet se çfarë do të ndryshojë, Lajçak tha se nuk është mirë që Kosova është nën masa.
“Në rrethanat aktuale nuk është mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së. Dhe kjo është çështja që duhet të adresohet”.
“Heqja e sanksioneve?”, u pyet Lajçak në një panel të Forumit 2BS, që u mbajt në Budva.
“Kjo është njëra nga mundësitë që personalisht i mbështes”, tha ai.
Lajçak u pyet nëse agresioni i Serbisë ndaj Kosovës me sulmin terrorist në Banjskë do të ndryshojë edhe rrjedhën e dialogut, ai tha se kjo ngjarje do të ketë ndikim në dialog, por se ajo që s’ndryshon është qëllimi për normalizim të marrëdhënieve.
“24 shtatori nuk ishte aksident. Ishte gjë e rëndë që ndodhi dhe pajtohem se duhet të hetohet siç duhet, por fakti është se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe do të ketë ndikim në vazhdimin e dialogut në shumë aspekte. Por, ka një gjë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë – është se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi kërkon një marrëveshje, që nënkupton kompromis, që mund ta arrijmë vetëm përmes dialogut. Kjo nuk do të ndryshojë. Kushdo që thotë se dialogu ka vdekur po ashtu thotë se e ardhmja europiane është e vdekur sepse siç thashë rruga drejt Europës për Kosovën e Serbinë kalon nëpër normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Normalizimi mund të arrihet vetëm përmes dialogut, s’mund të imponohet, por duhet të ketë pajtim”./Express/