Ku i morën videot e terroristëve duke u stërvituar në bazat serbe? Përgjigjet ministri Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konference për media të dielën, ku ka dhënë detaje për sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku u vra polici, Afrim Bunjaku, tashmë hero i Kosovës.
Sveçla ka paraqitur të tjera fakte që dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në grupin që sulmoi Policinë e Kosovës.
Pamjet e reja janë siguruar nga dronët e terroristëve të cilët janë konfiskuar nga policia, pasi grupi i armatosur iku nga zona ku sulmoi.
”Serbia dhe Aleksandar Vuçiq në vazhdimësi u përpoqën të thonë që ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë sulm, por faktet që do të publikojmë dëshmojnë përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi në bazën e trajnimeve ushtarake në Pasuljanske Doline, afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje të përgatitjeve janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që kemi konfiskuar, të cilët keni mundur t’i shihni në eksopozimin e gjithë armëve të konfiskuar në Banjskë në konferencën e kaluar për shtyp“, ka thënë Sveçla.
Serbia është përpjekur që të largojë përgjegjësinë nga ky sulm, por institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë publikuar dëshmi që tregojnë për një përfshirje të tillë.
Kosova po kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që ta ndëshkojë Serbinë për këtë.