Liberalizimi i vizave: Kosova thyen rekord kohor në pritje për dritë jeshile

Instituti Epik ka bërë publike disa statistika lidhur me kohën që iu desh vendave të Ballkanit Perëndimor për të arritur liberalizimin e vizave me shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

TeleshkronjaPost.com

Grafiku tregon se Kosova shënoi rekordin me një pritje prej 12 vjetësh për të arritur këtë proces, ndjekur nga Bosnja me një pritje prej 9 vitesh.

Por, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut arritën të hiqnin vizat për vetëm dy vite.

Sot, Parlamenti Europian miratoi dokumentin për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili do të pasohet nga nënshkrimi zyrtar nesër dhe do të shënojë hapin përfundimtar të procedurës përpara se vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Vonesa në këtë proces për kosovarët u theksua nga raportuesi për vizat për Kosovën në PE, Thjis Reuten, në një postim në media sociale për qytetarët e Kosovës, njofton TeleshkronjaPost.

“Parlamenti Europian jep dritën jeshile përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën. Jam i krenar që kemi arritur në fund këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Europës! Tani mund të hapim një kapitull të ri dhe të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë europiane”.

Sipas vendimit të BE-së, qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga 1 janari 2024./ TeleshkronjaPost.com