“Liberalizimi i vizave, në vjeshtë ose në fund të vitit”

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Samiti i Bashkimit Evropian, i cili po mbahet në Bruksel, është takimi më pozitiv që ka parë ndonjëherë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Palokaj ka thënë në “Desku” të KTV-së, të enjten, se pritet që gjatë kryesimit të BE-së nga Çekia, që i bie gjatë gjysmës së dytë të vitit të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Sa i përket Kosovës ndoshta është hera e parë që kemi dëgjuar shumë zëra në favor të liberalizimit të vizave dhe asnjë zë kundër. Tash thonë se ka ardhur koha që të lëvizet përpara. Ky është takimi më pozitiv që kam parë ndonjëherë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Edhe Holanda edhe Franca janë shprehur të gatshëm që të lëvizin përpara. Këto dy shtete kanë qenë shtetet më skeptike. Duhet pasur parasysh se fjala është për një çështje ku vendimet merren me shumicë të planifikuar. Presim që gjatë pjesës së dytë të vitit, gjatë kryesimit të BE-ë nga Çekia të ndodhë liberalizimi i vizave por duhet pasur kujdes sepse askush nuk ka premtuar data konkretë për këtë vendim. Shembujt e vendeve që kanë marrë liberalizimin e vizave me Kosovën na lë të kuptojmë se mund të jemi me shpresë se diku në vjeshtë ose në fund të vitit të ndodhë, për të hyrë në fuqi para festave të fundvitit”, ka thënë Palokaj.