Prapaskena dramatike: Albin Kurti i gatshëm të takojë Vuçiqin, paralajmërohet refuzimi i planit franko-gjerman nga Serbia

Zhvillime të reja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Një telefonatë dhe një gatishmëri për takim të Albin Kurtit, kryeministër i Kosvës me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë. Ndërsa në Serbi tashmë është raportuar se Vuçiqi është përgatitur të refuzojë propozimin franko-gjerman, të cilin Kosova e ka pranuar në tërësi. Çka ka të re?

E reja kryesore aktualisht është shpallja e gatishmërisë për një takim të ri mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në njoftimin e Qeverisë Kurti për telefonaten mes kryeministrit dhe Derek Chollet, këshilltar i sekretarit amerikan Anthony Blinken, theksohet se Kurti ia ka konfirmuar gatishmërinë për një takim me Vuçiqin.

“Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel. Gjithashtu, u theksua rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze. Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut.” – është thënë në njoftim.

Ndërsa në cicërimin e Cholletit në Twitter përmendej edhe fakti që Kosova e ka pranuar në tërësi marrëveshjen evropiane, ashtu siç tashmë po njihet plani franko-gjerman.

“Biseduam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të konsiderueshme për të dyja vendet.” – është shprehur ai.

Ndërsa ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili e shpërndaru cicërimin e Cholletit, e rikonfirmoi edhe njëherë se ShBA-të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm të propozimit të Bashkimit Evropian.

“Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare,” – shkroi ai në Twitter.

Por nga Sërbia po vijnë lajme pak më ndryshe. Zoran Vuletiq është politikan serb që udhëheq që disa vite partinë Liberal Demorkatike të Serbisë dhe njëkohësisht është shef i Forumit Demokratik Civil. Por sot politikani serb ka bërë një deklaratë interesante.

Në një opinion të tij, të publikuar në gazetën Danas, që shtë gazetë e njohur për qëndrime opozitare e kundër regjimit të Vuçiqit, Vuletiq ka paralajmëruar se Vuçiqi po përgatitet të refuzojë planin franko-gjerman.

“Ndonëse në fillim dukej se Vuçiq po përgatiste opinionin për të pranuar kompromisin evropian për marrëdhëniet mes dy shteteve, pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se do ta pranonte planin, Vuçiq vendosi të ndryshojë kurs. Fatkeqësisht për këtë ai u ndihmua nga një pjesë e madhe e opozitës parlamentare.” – shkruan Vuletiq për Danasin, transmeton Nacionale.

Ndryshe dje BE-ja, në përfundimet e Samitit, u deklarua edhe për propozimin franko-gjerman, të cilin e ka mirëpritur dhe i është referuar si shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane.” – theksohej aty.

Tutje BE-ja kërkoi nga Kosova themelimin e Asociacionit.

“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, obligimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.” – përfundon pjesa e dokumentit mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë./TeleshkronjaPost nga Nacionale/