Shtetasja gjermane që po lobon për heqjen e vizave për Kosovën

Shtetasja gjermane publikon letrën dërguar Macronit, me rreth 16 mijë nënshkrime kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën.

Rreth 16 mijë qytetarë deri më tash kanë nënshkruar peticionin për heqjen e vizave për Kosovën, të cilin e ka iniciuar ditë më parë, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian.

Në prag të mbajtjes së Samitit të BE-së në Bruksel, Shchneeberger i ka shkruar letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron, duke i kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në letrën e dërguar te presidenti Macron, Shchneeberger ka treguar se tri javë më parë ka qenë në Kosovë ku ka pasur përshtypje të mira – duke thënë se nuk është e drejtë që një popull brenda Evropës të jetë i izoluar.

“Njerëzit nuk mund të lëvizin lirshëm, nuk mund të shkojnë në festa familjare dhe bizneset përballen me vështirësi”, ka thënë ndër tjerash ajo.

Në letër tregohet se vizat kanë edhe shpenzime dhe kjo ia vështirëson jetën popullit të Kosovës.

Samiti i 23 qershorit është përmendur si datë ku mund të shprehet optimizëm për dhënien e dritës së gjelbër për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave por Franca dhe Holanda konsiderohen dy shtetet më skeptike për këtë proces.