Skender Hyseni sqaron për herë të parë deklaratat e Rugovës për UÇK-në

Anëtari i hershëm i LDK-së, Skender Hyseni ka folur mbi akuzat e vjetra ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova për deklaratat e tij ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës.

Ai ka treguar për herë të parë që e kishin pasur së bashku vetë, ai, Ibrahim Rugova dhe dy anëtarët e ndjerë të LDK-së, Xhemajl Mustafa dhe Enver Maloku, për akuzat që hidheshin ndaj tij për UÇK-në.

Por, sipas Hysenit kishte një arsye pse Rugova nuk fliste shumë për ushtrinë guerile që ia kishte mësyrë çlirimit të Kosovës nga Serbia.

“Ju keni dëgju pretendime nga akterë anësorë, që gjoja Rugova ka qenë kundër UÇK-së. Më lejoni ti’ dekonspirojë ata deklarata. Unë, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku dhe t’u bisedu në zyrë të Presidentit Rugova të tre e kemi shtruar çështje pse. Dhe përgjigja e Rugovës, ka qenë citoj: Burra, nëse unë dal e them që Kosova ka ushtri, atëherë unë po i them edhe botës që dy ushtri po luftojnë mes vete dhe kur luftojnë dy ushtri mes vete, njëra i merr të gjitha. Nuk e kam ndërmend me i rreziku ata djem në male, që me ëndje i quante luftëtarë të lirisë. Në çdo konferencë ai UÇK-së, i referohej si ushtarë të lirisë”, ka deklaruar ai në Pressing.

Hyseni ka thënë se Rugova asnjëherë nuk ka dhënë deklarata negative për UÇK-në.

“Ai (Rugova) ka thënë se kur sulmohet pragu i shtëpisë, njerëzit kanë të drejtë të mbrohen. Nuk janë terroristë (ushtarët e UÇK-së), e ka thënë edhe në Gjykatë të Hagës”, ka thënë tutje Hyseni.

Sipas tij, çdo deklarim që e ka bërë Rugova, e ka matur disa herë para se ta bënte.