ZYRTARE: UEFA hap hetim ndaj Rumanisë, ngarkohet me gjashtë akuza
Dy ditë pas përfundimit të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, UEFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj rumunëve. Kështu, kanë raportuar të enjten mediumet rumune.
Rumania e mposhti Kosovën 2:0 në Bukuresht, por ndeshja u ndërpre në pjesën e parë për 50 minuta për shkak të mesazhit “Kosova është Serbi” të shpalosur nga huliganët e grupit rumun “Uniti sub tricolori”.
Gazeta rumune “GSP” shkruan se UEFA tashmë ka nisur hetimet jo vetëm për thirrjet “Serbia, Serbia”, mesazhit “Kosova është Serbi”, por edhe mesazhit “Bessarabia është Rumania”. Këto mesazhe bën që ekipet të largohen nga fusha dhe pas 50 minutave të rifillojë ndeshje.
Në Rumani e kishin më se të qartë se ky skandal do të ketë pasoja të mëdha. Hetimi i UEFA-s ishte i pashmangshëm pasi arbitri nga Franca, Willy Delajod dhe delegati i UEFA-s, paraqitën raportin në bazë të cilit Shtëpia Evropiane e Futbollit tashmë ka nisur hetimet.
Komisioni disiplinor i UEFA-s tashmë është mbledhur në Nyon dhe ka nisur me procedurat disiplinore, të cilat pritet të publikohen javën e ardhshme.
Federata e Futbollit të Rumanisë ngarkohet me gjashtë akuza dhe krahas dënimit nga UEFA, pritet të marrë edhe një gjobë të majme. Akuzat për të cilat ngarkohen rumunët janë: Mesazhe provokuese me karakter fyes (pankarta të paligjshme, jo vetëm “Kosova është Serbi”, por edhe “Bessarabia është Rumania”), sjellje raciste, ndezje të fishekzjarrëve, hedhje të gjësendeve në fushë dhe bllokim të zonave të qasjes publike. Sipas gazetës rumune, tri akuzat e para do të ngarkohen me dënime të ashpra nga UEFA. Madje, thuhet se në federatën rumune presin që dy ndeshjet e ardhshme t’i luajnë pa shikues krahas gjobës me të holla.
“Tri të parat janë më të rrezikshmet për ne. Nëse shpallen fajtorë, rrezikojmë të luajmë me dyer të mbyllura, pa spektatorë, kundër Andorrës më 15 tetor, madje edhe Zvicrës më 21 nëntor, ndeshjen e fundit të kampanjës për Kampionatin Evropian në Gjermani”, ka shkruar gazeta rumune. “Kosovarët do të donin të zbatonin në mënyrë ekstreme nenin 14 të rregullave të UEFA-s, që lidhet me racizmin, dhe të konsideronin mjetin e fundit, rezultatin zyrtar 0:3 në tavolinë”.
Megjithatë, opsioni i humbjes së ndeshjes me rezultatin zyrtar është përjashtuar për faktin se dueli në Bukuresht rifilloi dhe Kosova u mposht me rezultatin 2:0. Ndërkohë, ditën e djeshme Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), nëpërmjet një reagimi ka bërë të ditur se krahas UEFA-s, do të ankohen edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë.