Kush është agjenti i rrejshëm i CIA-s, që u përdor kundër Thaçit nga Jack Smith?
Ish-emisari i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është rikthyer një skenë me një pretendim që ndërlidhet me Gjykatën Speciale. Grenell ka ngritur alarmin se ish-prokurori i specializuar, Jack Smith, ka përdorur agjentë të rrejshëm të CIA-s kundër Hashim Thaçit.
Këto pretendime ai i ka postuar me një seri shkrimesh në rrjetin social Tëitter.
“Sot u takova me një gazetar në Tiranë, i cili e ndau me mua incizime të publikuar nga një sinjalizues nga Haga, të “dëshmitarëve” që i kanë tërhequr dëshmitë e tyre kundër Hashim Thacit, sepse Jack Smith përdori agjentë të rremë të CIA-s për ta manipuluar dëshminë e tyre”, ka shkruar Grenell.
Sipas Grenellit, Smith e dinte se këta dëshmitarë janë të rrejshëm. Madje, thotë se ka edhe një audio për këtë.
“Jack Smith e dinte se këta “dëshmitarë” pretendonin se ai i kishte gënjyer dhe manipuluar që nga tetori i kaluar, të paktën. Audioja e rrjedhur është nga tetori 2022 – ai sigurisht e dinte më parë”, ka shkruar më tutje Grenell.
Ish-emisari për dialogun përmend emrin e prokurorit Alan Tieger, duke theksuar se ai dëgjohet në këtë biseda midis Jack Smith dhe agjentit të rrejshëm të CIA-s.
“Audioja e zbuluar është e “dëshmitarit” që i thotë zëvendësit të Jack Smith, Alan Tieger, se ai madje ka pamje nga ekrani dhe regjistrime të bisedave midis Jack dhe djalit të rremë të CIA-s”, përfundon postimi i Richard Grenell.
Ky postim i Grenellit është transmetuar edhe nga media të ndryshme në Amerikë. Megjithatë, emri i këtij agjenti të pretenduar të CIA-s nuk është përmendur në asnjë mënyrë. Nuk dihet as kush është dëshmitari, e as agjenti.
Ajo që dihet është se ky është rasti i dytë që ngrihen alarme për dëshmitarë të rrejshëm. Një rast të ngjashëm e ka pasur edhe mbrojtja e Veselit e Thaçit, të cilët kanë folur për një zinxhirë dëshmitar të rrejshëm.
Skandali Special 1
Gazeta Nacionale kishte raportuar javë më parë për një pretendim të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson. Ai aty argumemton se një dëshmitar i rrejshëm, agjent serb, ka dëshmuar rrejshëm duke thënë se Thaçi e Veseli kanë pranuar dosjet e zbuluara nga Specialja kohë më parë.
Në shtatorin e vitit 2020, disa herë u dorëzuan dosje në zyret e OVL-UÇK-së. Një dëshmitar që nuk dihet identiteti, ka pretenduar se ato dosje ishin nxjerrë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Megjithatë, ky dëshmitar, bashkë me personin që e ka nxitur të dëshmojë rrejshëm, kanë lidhje me Shërbimin Sekret Serb.
Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.
“Në tetor 2022, një dëshmitar u paraqit për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet fillimisht në parashtrimin e avokatit Emmerson.
“(Redaktuar) këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator – i cili (i) kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar; (ii) duket se ishte pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh në gjykim, dhe (iii) pohon se ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga avokatit britanik, Ben Emmerson.
Kjo çështje ishte ngritur edhe në seancën e 4 nëntorit. Avokati i Veselit ka prezantuar se ky person e ka implikuar rrejshëm Thaçin e Veselit nga një person që gjithashtu nuk i dihet identiteti.
“Më (redaktuar), (redaktuar) tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme, duke rrëfyer se ai ishte ushqyer me informata nga një person i quajtur (redaktuar) i cili bashkëpunon ngushtë si me inteligjencën serbe ashtu edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në shkresën e avokatit Ben Emmerson.
Madje, në disa transkripte të intervistës së këtij personi, ai konfirmon lidhjet me Beogradin dhe flet për disa takime.
Skandal Special 2
Pas avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, edhe avokati i Thaçit Gregory Keohe ka ngritur alarmin. Të dy bashkë, kanë dorëzuar ankesë në lidhje me një aferë ku dyshohet se janë përfshirë disa dëshmitarë, që kanë ofruar deklarata të rrejshme kundër ish-krerëve të UÇK-së. Kjo duke i ndërlidhur ata me dosjet e publikuara nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
Avokati i Thaçit në një parashtresë të dorëzuar te gjyqtari i procedures paraprake, ka kërkuar të zbulohen të gjitha detajet lidhur me një dëshmitar që e kishte akuzuar Thaçin e Veselin se kanë paguar shuma të majme parash, kinse për t’i zbuluar dosjet e Prokurorisë së Hagë.
“Mbrojtja kërkon të zbulohet çdo informacion në ruajtje, kontroll ose njohuri aktuale të Prokurorisë së Specializuar që ka të bëjë me [REDAKTUAR], në përputhje me Rregullën 103 të Rregullave. Ky dëshmitar [REDAKTUAR] me qëllim që të ofrojë informacione të rreme inkriminuese kundër z. Thaçi dhe z. Veseli. [REDAKTUAR] u intervistua për herë të parë nga Prokuroria [REDAKTUAR]. Ai fillimisht pretendoi se [REDAKTUAR], i afërt me z. Thaçi dhe z. Veseli, u takua me [REDAKTUAR] dhe bëri një marrëveshje me të, në emër të z. Thaçi dhe z. Veseli, në bazë të së cilës [REDAKTUAR] do t’u jepte atyre informacione të caktuara. [REDAKTUAR] tha se dokumentet në fjalë ishin [REDAKTUAR]. Dokumentet më pas supozohej se ishin shkëmbyer në kufirin Kosovë/Serbi me njerëzit e z. Veseli, rreth 2 muaj para intervistës së [REDAKTUAR]”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit që e ka siguruar Nacionale.
Gjithë kjo marrëveshje e pretenduar nga ky dëshmitar i ndërlidhur edhe me Shërbimin Sekret Serb, thuhej se ishte bërë në këmbim të mijëra eurove. Megjithatë, më vonë do të tregohet se ky dëshmitar kishte pranuar se dëshmia e tij ishte e manipuluar.
“Ai pohoi se i gjithë shkëmbimi i dokumenteve ishte [RIDAKTUAR] se [REDAKTUAR] euro ishte çmimi për dosjet që do të silleshin në Kosovë dhe se këto euro [REDAKTUAR] erdhën nga [REDAKTUAR], i cili ishte një [REDAKTUAR]. Ai pretendoi se z. Thaçi dhe z. Veseli ishin dy personat e parë që i morën dokumentet dhe se [REDAKTUAR]. Ai deklaroi se sipas burimeve të tij, dokumentet i ishin dorëzuar Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga [REDAKTUAR]. Në rrjedhat e kësaj interviste [REDAKTUAR], [REDAKTUAR] më tej pohoi se [REDAKTUAR] i kërkoi [REDAKTUAR] euro, [REDAKTUAR], për një fond për z. Thaçi, por ai refuzoi. Së fundi, ai ofroi fletore private [REDAKTUAR] për ZPS-në. Megjithatë, në [REDKATUAR], [REDAKTUAR] kontaktoi [REDAKTUAR], një anëtar i Prokurorisë për të tërhequr plotësisht deklaratën e tij. U organizua një telefonatë midis [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR] në [REDAKTUAR] , mbi të cilën [REDAKTUAR] deklaroi se e gjithë dëshmia që ai dha në Prokurori ishte “përgatitur” nga një [REDAKTUAR], me dijeninë e [REDAKTUAR]”, thuhet më tutje në këtë parashtrim.
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës ka kërkuar detaje nëse ky dëshmitar është i punësuar me kontratë, dhe nëse shërbimet e tij janë paguar.