E FUNDIT: Shumë shpejtë takimi Kurti-Vuqiq, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje
Caktimi i datës së takimit të radhës të nivelit të lartë ka mbetur në dorë të ndërmjetësuesve të dialogut Kosovë-Serbi. Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ende nuk ka ftesa zyrtare, dhe nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Nga takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiq nuk ka pritje të mëdha, derisa nga njohës të procesit bëhet thirrje për kornizim të dialogut.
Periudha pa takime, tash e një vit, do të përmbyllet në fund të muajit korrik. Ndonëse ende nuk ka një datë zyrtare, takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq pritet të mbahet në pjesën e dytë të korrikut. Megjithëkëtë, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se koha e mbajtjes së takimit varet nga ndërmjetësuesit e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell, e emisarit për dialogun Miroslav Lajçak.
“Është folur nëpër takime të ndryshme mundësia për takim të kryenegociatorëve dhe pastaj edhe të krerëve shtetërorë, kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Mirëpo ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z.Borrell dhe z.Lajçak”, thuhet në përgjigjen me shkrim që ka dhënë për KOHËN zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.
Një takim midis Kurtit e Vuçiqit ka kohë që është paralajmëruar. Vetë emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në fund të qershorit, ka deklaruar se synojnë që krerët e të dyja shteteve t’i takojnë para pushimeve të verës. Lajçak ka thënë se konsideron se ka ardhur koha që mes liderëve të Kosovës e Serbisë të ketë takime më të shpeshta. “Plani ynë është që të kemi takime më të shpeshta, të rregullta, në mes të kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq”, ka thënë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media më 29 qershor.
Duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të Kosovës dhe Serbisë në bisedimet mes tyre, nga takimi i radhës nuk ka pritje të larta.