Filozofia dhe etika politike e Rexhep Qosjes

Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediat serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin. Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit

Hyrje

Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1995 kur e kam parë për herë të parë akademik Rexhep Qosjen, në një orë letrare. Me një mjekër të zezë e karakteristike, me trupin drejt dhe kokën lart, kur hyri në sallën e Fakultetit Filozofik, ku mbahej ora letrare, salla u elektrizua nga duartrokitje frenetike. Kishte diçka sokratiane në këtë skenë. Ai ishte bërë simboli karizmatik i dijetarit, të cilin ne, të rinjtë dhe të rejat veprimtarë për Republikën e Kosovës, e konsideronim se është “në anën tonë, në anën e Republikës.” Diçka e tillë nuk ishte e rëndomtë në atë kohë.

Sociologu francez Pierre Bourdieu, duke analizuar ambientin social në një shoqëri, në mesin e katër formave të kapitalit e definon edhe kapitalin kulturor. Ai e dallon kapitalin kulturor nga ai ekonomik, social dhe simbolik. Nuk ka asnjë personalitet në botën intelektuale shoqërore në Kosovë të jetë i pajisur me më shumë vlera etike e kulturore sesa akademik Rexhep Qosja. Në krijimin e këtij kapitali vleror, profesor Qosja është ndeshur me kundërshti, arrogancë të pushtetit, përndjekje dhe dhunë të hapur psikologjike. Rezistenca e tij ndaj të padrejtës, robërisë dhe pabarazisë e ka shndërruar atë në simbol të dinjitetit intelektual ndër shqiptarë.

Figura karizmatike e Rexhep Qosjes është krijuar nëpër decenie për të marrë karakterin e një prej personaliteteve më të shquara të botës shkencore, politike dhe shoqërore ndër shqiptarë. I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj, në Krahinën e Malësisë, ku mbaroi klasat e para të fillores dhe pastaj gjysmëmaturën në Gusi, si djalë i ri u vendos fillimisht në Mitrovicë dhe pastaj në Prishtinë. Prishtina dhe Vuthaj do ta përcjellin gjatë gjithë jetës së tij si ambiente jetësore, me gjithë dallimet e mëdha të tyre. Çdo verë profesori do të shkojë në Vuthaj, për të shijuar ajrin e pastër të bjeshkëve dhe për të përjetuar dashurinë e pamasë të malësorëve, kurse në kohë pune e semestrash do të kalojë në mesin e studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe veprimtarëve për liri.

Profesor Qosja ka shkruar disa dhjetëra libra me studime letrare, kritikë letrare, romane, tregime, drama, recensione, vështrime, trajtesa, artikuj, sprova dhe punime politikologjike. Disa nga librat e tij janë botuar në gjuhë të ndryshme si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe gjuhë të tjera. Të njohur më së shumti e ka bërë libri i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë.” Ky nuk është një roman i thjeshtë. Ai është paraqitja e një tabloje të zymtë të jetës së shqiptarit në Kosovë. Në të ai përshkruan jetën e rëndë nën kontrollin policor të regjimit të Lidhjes Komuniste. Ndeshja morale në mes të Danjollit të Sherkës, si shërbëtor i pushtetit, dhe Xhezairit të Xhikës, ka karakter moral, politik dhe human. Përshkrimi i gjendjes së zymtë nën robëri, përcjell një mesazh politik vleror për lexuesin që do të mund të përmblidhej në një thirrje për veprim: Kjo gjendje nuk durohet më! Këtë gjendje duhet ndryshuar! Sistemi diktatorial, me sytë e tij që vrasin, duhet zhbërë, duke punuar për të krijuar sistemin e lirisë individuale dhe kolektive. Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, duke ia paraqitur këtë vepër publikut francez, ka shkruar: “Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është një vepër me inspirim kafkian, një roman që prish qetësinë, një vepër që profetizon apokalipsin dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare.”

Por, Rexhep Qosja nuk është vetëm romansier, dramaturg dhe studiues i letërsisë. Ai është edhe një ndër politikologët tanë më të mirë. Në veprat e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Çështja shqiptare – Historia dhe politika”, “Fjalor Demokratik”, “Paqja e përgjakshme”, “Shpërngulja e shqiptarëve”, “Demokracia e shpërdorur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur”, “Rilindja e dytë” etj., Qosja na shfaqet si një mendimtar origjinal në lidhje me një numër idesh dhe fenomenesh politike dhe shoqërore. Pikërisht këtë dimension të krijimtarisë së tij do ta trajtojmë në këtë punim.

Politika dhe morali sipas Qosjes

Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale. Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave (ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve).

Profesor Qosja preferon një politikë me bazë etike, e përmbledhur në dy parime: “Parimi i parë: morali i shtetit pashmangshëm kushtëzon moralin e shoqërisë dhe, parimi i dytë, politika e moralshme historikisht është treguar më e leverdishme dhe natyrisht shumë më frytdhënëse si në përpjesëtime kombëtare ashtu edhe në përpjesëtime botërore sesa politika e pamoral.”

Duke i analizuar rrethanat e krijuara pas luftës në Kosovë, Qosja konstaton se “populli shqiptar po “kalon një krizë të shtrirë shpirtërore dhe morale.”* Ai e shpreh hapur zhgënjimin e tij për gjendjen morale të shoqërisë shqiptare: “Deri kur dija dhe ndershmëria politike do të jenë pengesë, kurse mosdija, banaliteti dhe mashtrimi – përparësi?” Kjo krizë, sipas tij, shpërfaqet në formën e “keqpërdorimit të padenjë të lirisë.” Qosja thërret për kthim tek vlerat, idetë, parimet dhe virtytet. Në këtë kontekst Qosja është shumë i ashpër ndaj mungesës së etikës te politikanët:

“Është dobësuar shumë njeriu në politikën tonë dhe është dobësuar shumë njeriu në politikanin tonë. Më i shpeshtë se politikani i përgjegjshëm dhe zemërhapur është politikani i tjetërshfaqshëm e pa skurpuj. Më i shpeshtë se politikani i qëndruar, është politikani makiavelsit a i hallakatur, që vazhdimisht e sheh kanibalin para dyerve dhe nxit përçarje e urrejtje në opinion.”

Rexhep Qosja në projektet e tij teorike synon ta krijojë njeriun e ri shqiptar, të bazuar në idetë e Naim Frashërit për moralin: një njeri të ditur, me karakter, të qytetëruar, i cili bashkon dijen me natyrën, mendjen me nderin, aftësinë me përgjegjësinë, që i kupton nevojat e vendit, e kuptimëson jetën dhe shoqërinë. Pra me një njeri të tillë “në të cilin janë bashkuar mendja e karakteri, cilësia mendore dhe cilësia shpirtërore, natyra dhe kultura, mund të tejkalohet kriza shpirtërore e morale.” Dhe, një njeri të tillë ideal mund ta krijojë politika, shkenca dhe arsimi përmes shtetit të së drejtës, sistemit demokratik dhe sistemit arsimor të orientuar drejt shkencës.

Ideja e lirisë dhe demokracisë

Krijimtarinë politikologjike të Rexhep Qosjes e përshkon mendimi i qartë për vlerat politike. Ai angazhohet për liri, barazi, demokraci dhe vetëvendosje si parime themelore të humanizmit njerëzor. Ai nuk beson në demokraci pa liri, as në barazi pa demokraci. Barazia e popujve nuk realizohet përmes diktateve të popujve të tjerë. Aty ku synohet të vendoset demokracia përmes gjendjes së jashtëzakonshme, aty nuk ka as liri dhe as demokraci: “Demokracia nënkupton lirinë dhe barazinë e popujve dhe të njerëzve. Pa barazi të popujve në bashkësinë shumëkombëshe, nuk mund të flitet për barazi të qytetarëve.”

Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediat serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin. Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit.

Janë me dhjetëra artikuj dhe punime tjera në të cilat ai e trajton vlerën e lirisë. Liria për të “është kuptimi i jetës së njeriut. Por, siç është provuar shumë herë gjatë historisë, sidomos gjatë shekullit të kaluar, liria në varfëri, në pushtime dhe në diktaturë nuk e kuptimëson jetën e njeriut. Liria është vërtetë liri vetëm në demokraci.” Sipas tij njeriu ka lindur për të qenë i lirë. Ai është i bindur se të gjitha pushtetet që këtë të drejtë natyrore të njeriut “e gulçojnë, e cenojnë, e kufizojnë me dhunë pashmangshëm do të vdesin prej dhunës.” Ideja e lirisë është motori shtytës i lëvizjes drejt historisë.

Kur po ushtrohej trysni e madhe ndaj shkrimtarëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e instrumentalizimit politik në procesin e shtypjes së të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, Rexhep Qosja ishte i pari shkrimtar shqiptar që hapur, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, në vitin 1985, do të fliste për mungesën e lirisë në Kosovë, do të mbronte gjuhën shqipe, identitetin kombëtar shqiptar dhe do të demaskonte dhunën që ushtronte shteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Ai do të deklaronte: “Do të flas në gjuhën serbokroate, jo që të mos më quaj kush shkrimtar ‘autoqefal’, sepse besoj se gjuhë autoqefale s’ka në këtë botë dhe jo që të më dhurohet ndonjë duartrokitje, se e di përpara, duartrokitje për këtë diskutim nuk mund të pres, por që të më marrin vesh të gjithë. Do të flas si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar – shkrimtar a shkencëtar – shqiptar domethënë të jesh, porsi personazhi i Franc Kafkës, Jozef K., njeri që vazhdimisht pret ta thërrasin. Do të flas si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar sot, më në fund, domethënë: të jesh çka nuk je e të mos jesh çka je.”

Pas fjalimit të tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë do të fillonte një tiradë akuzash kundër tij. Këtij presioni kundër lirisë së tij individuale dhe kundër lirisë së popullit shqiptar, Qosja do t’i përgjigjej para shkrimtarëve jugosllavë: “Detyrë morale e shkrimtarit nuk është që të flasë siç i pëlqen dikujt, por siç është e vërteta. Unë jam këtu në parlamentin e mendjes – që të them të vërtetën, e jo në kishë – që të rrëfehem.” Në këtë fjali, në fakt, përmblidhet e gjithë esenca e etikës politike të Rexhep Qosjes.

Për të realizuar idenë e lirisë Rexhep Qosja nuk e përjashton edhe përdorimin e luftës. Pra, ai është humanist, por jo pacifist. Një popull mund të pësojë disfatë në luftë, por ai është më mirë të humb duke zhvilluar betejën, se sa pa hyrë fare në betejë. Prandaj, lindja e UÇK-së e gëzon fort profesorin. Në të ai e sheh mundësinë për të realizuar lirinë. Ajo është subjekti që e sfidon Serbinë. UÇK është për Qosjen “ushtria e popullit: ajo është e pazhdukshme, ajo pavarësisht prej disfatave që në çaste të caktuara do të mund të pësojë, do të ringjallet prej hirit të vet – si Feniksi.” Ai e adhuron krenarinë, qëndresën, vendosmërinë, qëllimet liridashëse dhe gatishmërinë për flijim të luftëtarëve tanë. Ishin këta ushtarë lirie që i dhanë shtytje zhvillimit të historisë në drejtimin e duhur: në shpërbërjen përfundimtare të burgut të popujve të quajtur Jugosllavi.

Ideja e bashkimit kombëtar

Profesor Qosja e fillon librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” me një konstatim interesant: “Gjeografia e ka bashkuar popullin shqiptar me Evropën, por historia shumë kohë e ka ndarë prej saj. Megjithëse për nga pozita gjeografike është Evropë, për nga historia ai ishte gjatë i detyruar të jetë Azi.” Ky fakt ka bërë që shqiptarët të përceptohen në mënyrë të njëanshme edhe nga Lindja edhe nga Perëndimi. Për Lindjen ata janë më shumë perëndimorë se sa lindorë, kurse, për perëndimin, shqiptarët janë më shumë lindorë se sa perëndimor. Ky konteskt paragjykues ka sjellë edhe momente tragjike në historinë shqiptare.

Si duhet të sillen shqiptarët në këtë kontekst gjeostrategjik dhe kulturo-historik? Qosja mendon se duhet të sillen të tillë siç janë, pa u munduar të dëshmohen më perëndimorë se perëndimorët, por edhe pa pasur drojë nga elementet e trashëguara religjioze dhe kulturore nga lindja. E rëndësishme për të është që ata të maksimalizojnë fuqinë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore: të bashkohen në një shtet.

Në fakt Rexhep Qosja në rrafshin ideor ka diçka të përbashkët me ish kancelarin Helmut Kohl. Të dy i lidh ideja e bashkimit. Më 28 nëntor 1989 kancelari gjerman Helmut Kohl pati paraqitur Programin 10-Pikësh për Bashkimin e Gjermanisë para Bundestagut Gjerman. Me këtë Plan kancelari gjerman nuk i befasoi vetëm opozitën dhe miqtë e tij ndërkombëtar, por edhe shumë nga anëtarët e partisë së tij. Në fjalën e tij para Bundestagut ai pati thënë: “Rruga drejt bashkimit nuk është shtruar në tavolinën e gjelbërt ose përmes planifikimit me dorë të një plani terminesh….Ne mundemi, nëse vetëm duam, që sot t’i përgatisim ato etapa, të cilat sjellin deri te ky qëllim…Se si do të duket një Gjermani e ribashkuar, nuk e di sot askush. Por, që bashkimi do të vijë, nëse njerëzit në Gjermani këtë gjë e duan, për këtë jam i sigurtë.”

Ndryshe nga Helmut Kohli, Qosja ishte vetëm në një fazë të shkurtër kohore aktiv politikisht. Por, struktura teorike dhe argumentuese e Rexhep Qosjes në librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” është në të njëjtën linjë me Programin e Helmut Kohlit për bashkimin e Gjermanisë. Në këtë kuadër ai e sheh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Evropën e popujve të bashkuar: “Çështja e shqiptarëve mund të zgjidhet në mënyrë të tërësishme e jo të pjesshme, të përhershme dhe jo të përkohshme, në Evropën e popujve të bashkuar, sepse në Evropën e popujve ata, si popull i ndarë, do të bëheshin të bashkuar.”