Sali Berisha mesazh Edi Ramës nga protesta: Ne të dy jemi armiq!
Ish kryeministri Sali Berisha i ka përcjellë një mesazh direk nga protesta kryeministrit Edi Rama i cili ndodhet në Vlorë.
Duke i thënë se e ka armik, Berisha i bëri thirrje Ramës që t’ia mbathë, ashtu siç sipas tij bëri sot me protestën.
“Shqipëria është në rrezik. Ishte kushtrimi që u ngriti juve në këmbë për ta shpëtuar atë. Vëllezër e motra ju jeni sot këtu, sepse ju nuk pranoni që qytetarët shqiptarë të jenë qytetarë të lirive dhe të drejtave të dhunuara. 32 vite më parë kur krijuam partinë e parë opozitare, diktatori i fundit dhe partia-shtet kishin në duar të gjitha pushtetet. Sot, pasardhësi i tyre, Edi Rama, ia mbathi. Edhe pse ka të gjitha pushtetet, ka vendosur monizmin e plotë përsëri. Ia mbathi, përsëri do ia mbath. Orët e tij janë të numëruara. Në emrin tuaj i them Edi Ramës këto fjalë: Edi Rama ne të dy sot jemi armiq, jemi armiq. Po pse jemi? Zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr, sepse ti Edi Rama ke për ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin, kurse me këta burra e gra, djem e vajza, kemi për ideal lirinë, lirinë dhe vetëm lirinë”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama do pushtetin për t’u pasuruar vetë dhe varfëruar qytetarët.
“Sot unë me këta djem, burra e vajza, kemi ideal lirinë. Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin, e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për të poshtëruar qytetarët. Kurse unë dhe këta qytetarë që janë sot këtu, lirinë e duam për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin. Edi Rama ne jemi armiq, sot ti ia ke mbath, gabim ke bërë. Sot ti ke blinduar dyert, gabim ke bërë. Ne nuk veprojmë në pabesi, kur të themi mbathja, do t’ia mbathësh. Së dyti, mos harro se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë çdo bunker, ne shpojmë çdo blind, asgjë nuk na ndal ne në përpjekjen tonë për liri”, tha Berisha.