Ligji i Luftës ende në fuqi: Greqia dhe Shqipëria zgjasin paktin
Shteti i Greqisë dhe Shqipëria kanë rënë dakord të rinovojnë edhe me pesë vite të tjera “Paktin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë” midis dy shteteve.
Ky lajm u bë me dije nga burimet diplomatike greke të cilat kanë pohuar që edhe Tirana zyrtare pozicionohet pozitivisht ndaj këtij rinovimi që është propozuar nga pala greke.
Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis Greqisë dhe Shqipërisë është nënshkruar për herë të parë mes dy vendeve në 21 mars të vitit 1996, në dy kopje në gjuhën shqiptare dhe greke dhe mban firmat e ministrave të Jashtëm të asaj periudhe , Alfred Serreqi dhe Theodhoros Pagkalos.
Ai ka pasur një kohëzgjatje fillestare, nga dita e zbatimit, 20 vjet, e cila ka përfunduar në vitin 2018, pasi është urdhëruar botimi i tij në fletoren zyrtare të shtetit grek me firmat e presidentit të atëhershëm Kostis Stefanopoulos dhe ministrave përkatës në 12 janar 1998.
Më pas është rinovuar për një periudhë pesëvjeçare, deri në 2023.Në prag të mbarimit të afatit të tij , të dyja palët kanë rënë dakord për rinovimin e tij edhe për pesë vite të tjera.
Ky zhvillim, theksojnë të njëjtat burime diplomatike greke – është pjesë e përmirësimit të vazhdueshëm të klimës në marrëdhëniet mes dy vendeve, gjë që u la të kuptohet gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Nikos Dendias në Tiranë në tetor 2020, si dhe takimit të tij të fundit me homologen e tij shqiptare dhe kryeministrin Rama në Tiranë para disa ditësh.
Vlerësohet se rinovimi edhe për pesë vjet i këtij pakti ka si qëllim tu japë kohë dy vendeve të zgjidhin me një frymë pozitive disa prej problemeve të trashëguara nga e kaluara siç janë ligji i Luftës të cilin vetë kryediplomatit grek Dendias e ka quajtur anakronik, apo çështja e përcaktimit të kufijve detarë dhe ZEE, për të cilën dy vendet kanë rënë gjithashtu dakord ti drejtohen gjykatës së Hagës.