Ministri Armend Mehaj në Korroticë të Drenasit, vizitë familjeve të dëshmorëve Bejtë dhe Hajzer Rexhepi (Foto)

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj sot ka shkuar për vizit tek familja e dëshmorëve Bejtë dhe Hajzer Rexhepi në Korroticë të Drenasit, shkruan TeleshkronjaPost.

Ai vet e bëri të ditur këtë vizitë përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook. Ja njoftimi i tij i plotë në fb:

Në Korroticë të ulët në Drenas, vizitë familjeve të dëshmorëve Bejtë dhe Hajzer Rexhepi.

Largimi i pushtuesit serb nga vendi ynë, kërkonte guxim, organizim dhe sakrificë. Çdo ditë që kalonte regjimi bëhej më i dhunshëm, më kriminal e më i padurueshëm. Në anën tjetër durimit të popullit tonë i kishte ardhur fundi. Ngjarjet tronditëse të masakrës së Likoshanit na tregonin qartë që shovinistët serbë kishin filluar zbatimin e planit për shfarosje të popullit tonë.

Pas këtyre ngjarjeve Hajzeri veshi unformën e UÇK-së pas aktiviteteve të shumëta atdhetare ndërsa, Bejta kthehet nga Gjermania për të kryer stervitjet në Shqipëri e më pas vendoset në frontin e luftës.

Të vendosur e të guximshëm, mbrojten vendin tonë, jetën e tyre ia falën atdheut dhe lirisë, që gjeneratat e reja të këtij populli të jetonin pa frikë në truallin e tyre që me shekuj ishte larë me gjak.

Liria jonë sot është falë UÇK-së dhe falë dëshmorëve tanë.

Lavdi!