“Politikanët tanë kanë vetëm rrena dhe dokrra”
Nga viti 1990 e këtej, na premtuan se do të jemi pjesë e Evropës – gënjeshtër;
se do të kemi një shqiptar të shkolluar dhe të kulturuar – rrenë; se do të jemi një shoqëri me individë të lulëzuar ekonomikisht, me pronë të njohur, me iniciativë të lirë – dokrra; se do të jemi të barabartë para ligjit – tallje e denjë për komikë; se do të zgjedhim vetë liderët, pushtetarët, udhëheqësit që do të ndryshohen sipas vullnetit popullor -mashtrim i hidhët; se administrata dhe drejtësia do të jenë të pavarura nga politika – shiheni me sy çfarë manipulimi; se do të bashkoheshin trojet – çfarë deliri na futën në kokë; se qytetari do të informohej nga mediat e lira – na helmojnë me propagandë …
A nuk ka ardhur koha të mendojmë se përse na kanë rrejtur?
Përse i hamë këto rrena?
A nuk është çasti i madh të mos besojmë?
Nuk ka ardhur momenti ta kërkojmë të drejtën për të mos u besuar?!
Nuk ka ardhur momenti, të kërkojmë jo ëndrra në diell? Ss t’i besojmë atyre që na serviren, por të kërkojmë të drejtën tonë për të ushtruar kompetencën e kritikës? të kërkojmë vetëm një gjë:
Na lini të drejtën e mosbesimit te ju! Të fitojmë të drejtën e të mos qenit të vetëmashtruar?
Kundër utopive të realizuara nga heronjtë apo nga turmat, aq e rrënjosur në atë që u quajt ADN e shqiptarit, dhe të kërkojmë të drejtën e dhënies me kontratë të anulueshme në çdo çast nga qytetari për pushtetarë të dobët, jo prijës, jo utopistë, por thjesht shërbëtor që t’i heqim kur duam?
Artan Fuga.