Si erdhi në krye të shtetit shqiptar Enver Hoxha ?

Enver Hoxha (16 tetor 1908 – 11 prill 1985) ka qenë politikan komunist shqiptar që drejtoi shtetin shqiptar nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Para sekretarisë së parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, ai ishte kryetari i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1944–1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes.

I lindur në Gjirokastër më 1908, ai punoi fillimisht si mësues, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ai vijoi punën në arsim deri kur u punësua në fabrikën dhe shitoren “Flora” të Ibrahim bej Biçakçiut. U bë anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë pas formimit të saj më 1941, kurse më 1943 u zgjodh sekretar i parë i saj me përkrahjen e emisarëve jugosllavë nën drejtimin e të cilëve u themelua partia, Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës.

Të 41 vitet e drejtimit të tij të shtetit shqiptar ndahen në dy periudha: e para (1944-1976) e karakterizuar me aleanca të përkohshme me fuqitë e kampit socialist ─ Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën ─ dhe e dyta (1977-1985) e shënjuar nga izolacionizmi, antirevizionizmi dhe ndjekja dogmatike e marksizëm-leninizmit. Prej sundimit të tij spikaste mbrojtja e hekurt e stalinizmit, eliminimi i çdo lloj opozitarizmi të jashtëm apo të brendshëm, përmes metodave që përfshinin dënimin me vdekje; transformimi i vendit drejt një ekonomie industriale dhe të vetëmjaftueshme, ateizmi shtetëror; krijimi i një policie sekrete për shtypjen politike të popullësisë quajtur Sigurimi i Shtetit dhe, në vitet e fundit, izolimi ndërkombëtar në të cilin u zhyt Shqipëria. Gjithashtu i spikatur ishte kulti i individit me të në qendër, i gjithëpranishëm nëpër pankarta e postera, këngë e parrulla «Populli – Partia – Enveri» të shkruar edhe anës maleve. Edhe pas vdekjes kulti i tij u nderua përmes shtatoreve të mëdha në gati çdo qytet të Shqipërisë, kryesuar nga ajo në qendër të Tiranës si dhe ndërtimi i një muzeumi kushtuar atij, po në kryeqytetin shqiptar.

Hoxha përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.Regjimi katërdhjetëvjeçar i tij u karakterizua nga zhdukja e opozitës politike e intelektuale, represioni i vazhdueshëm politik në të cilin përfshiheshin kampet e detyrueshme të punës, pushkatimet pa gjyq dhe ekzekutimet e antikomunistëve të piketuar. Dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi. Qeveria socialiste karakterizohej edhe nga metodat “staliniste” të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij që kërcënonin shtetin popullor. Pjesa më e madhe e këtij represioni është bërë përmes armës së Sigurimit.

Hoxhaizëm, rrymë anti-revizioniste marksist-lenininiste e zhvilluar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe disa vende të Amerikës Latine si Ekuadori, Brazili, Venezuela etj. Sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.

Kthimi në Shqipëri

- Teleshkronja Post https://teleshkronjapost.com/si-erdhi-ne-krye-te-shtetit-shqiptar-enver-hoxha/
Si mësues në Korçë

Në korrik të vitit 1936 Enveri u kthye në Shqipëri, nisi të jepte mësim me kontratë në gjimnazin e Tiranës duke mos kthyer as bursën studentore e duke mos shërbyer as në ushtri siç ishte ligji. U caktua në liceun e Korçës porsa atë periudhë vëreheshin me shqetësim përhapja e propagandës komuniste. Dha mësim në lëndën e moralit si dhe ishte kujdestar biblioteke. Pushtimin fashist e priti me indiferentizëm, në korrik shkoi me pushime në Itali, për arsye shëndetësore shkoi ndër llixhat e Salsomaggiores i pritur nga Omari, e motra dhe nipërit. Studjuesit e biografisë së tij, ndonëse mungon ngase është zhdukur baza dokumentore, janë të mendimit se Enveri u rekrutua nga shërbimi sekret shqiptar pikërisht kur drejtohej nga kushëriri i tij Abedin Hoxha. Kështu shpjegohet edhe si nuk ktheu bursën, si vijoi të punonte në shërbim konsullor dhe si nuk shërbeu në ushtri para se të punësohej në arsimin vendas pasi u kthye.

Në fund të 1939 u caktua në gjimnazin e Gjirokastrës i hequr nga puna prej liceut të Korçës, në dhjetor 1939 shkoi sërish në Itali, por nuk qëndroi sepse u rikthye në Tiranë fillimin e 1940. Aty përmes të njohurit të tij, Esat Dishnicës kish mundur të punësohej fillimisht në fabrikën e duhanit dhe më pas në shitoren “Flora” të kushëririt të Dishnicës, Ibrahim bej Biçakçiut. Në kontakt me pjesëtarë të Grupit Komunist të Korçës, shoqëroi Koço Tashkon, Pilo Peristerin, Koçi Xoxen, Sotir Vullkanin dhe Sotir Lubonjën si simpatizant në takimet e datave 8-14 nëntor 1941, ku me përfaqësues të grupeve të Shkodrës dhe të Rinjve themeluan Partinë Komuniste Shqiptare nën drejtimin e emisarëve jugosllavë Popoviq dhe Mugosha.

Enveri u caktua fillimisht për financat e partisë nga Popoviqi në komitetin provizor. Në mars 1943, u konfirmua si udhëheqës kryesor i PKSH. Arsyet e zgjedhjes së Hoxhës ishin sepse pas vrasjes së Qemal Stafës në Komitet Qendror mbizotëronin punëtorët, kurse në krye të Partisë nevojitej një intelektual. Hoxha po ashtu ishte sekretar politik i PKSH për Qarkun e Tiranës i cili ishte qarku më i rëndësishëm i vendit. Në fillim për Sekretar të Përgjithshëm u propozua Ymer Dishnica por nuk pranoi, ky propozoi Enverin i cili fillimisht refuzoi gjithashtu. Kandidatura e këtij të fundit u përkrah edhe nga Popoviçi.

I njohur në Parti e në radhët e simpatizantëve me pseudonimet “Tarasi”, “Shpati”, “Valbona”, “Hasani”, “Saliu”, “Malo” etj., duke u paraqitur herë si punëtor e herë si tregtar e intelektual, ai gjatë gjithë vitit 1942, në ilegalitetit zhvillon një veprimtari të dendur anti-fashiste në Tiranë. Në krye të KQ të Partisë, Enveri përpunoi dhe udhëhoqi zbatimin e vijës ushtarake të PKSH për organizimin dhe zgjerimin e kryengritjes së armatosur në të gjitha anët e vendit dhe për krijimin, në luftë e sipër, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Në vitin 1943 Enveri dënoi Marrëveshjen e Mukjes midis Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (korrik 1943) e më pas Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (maj 1944), Enveri punoi për krijimin dhe rritjen e UNÇSH.

Me propozim të KQ të PKSH më 24 maj 1944 filloi punimet Kongresi i Parë Antifashist Nacionalçlirimtar i popullit shqiptar, Kongresi i Përmetit, i cili themeloi shtetin shqiptar të demokracisë popullore. Komiteti Antifashist, që doli nga ky Kongres ishte, faktikisht, qeveria e Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm i PKSH, Enveri, u emërua President i këtij Komiteti. Mbledhja e Dytë e KANÇ-it (tetor 1944), që u mbajt në Berat, vendosi shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike Provizore të Shqipërisë. Enveri u emërua Kryeministër. Më 28 nëntor 1944, pas 5 vjetësh lufte e përpjekjesh titanike, Qeveria e parë demokratike popullore në Shqipëri, me kryeministër Enverin, hyn në Tiranën e lirë.