Vizat, dialogu, Manastiri i Deçanit: Crammon jep detaje të raportit për Kosovën
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka dhënë raportin e saj për vitin 2021. Ajo ka folur për çështje të ndryshme, prej solidarizimit me Ukrainën, sundimin e ligjit, kërkesën për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.
Fillimisht, ajo tha se raporti vjen në një moment të veçantë, në një kohë kur po ndodh sulmi i Rusisë ndaj territorit të Ukrainës. Ajo vlerëson qëndrimin pro-ukrainas të Kosovës.
“Raporti i sivjetmë i Kosovës vjen në një moment të veçantë – në atë kur shohim përsëri tmerret e luftës në Evropë. Qeveri e saj demonstroi solidaritet të plotë me Ukrainën, për të cilën dua t’i falënderoj”, tha ajo.
Ajo po ashtu foli për reformat që është duke i kryer shteti për të plotësuar kushtet për integrim në BE.
“Raporti gjithashtu nënvizon rrugën e gjatë të reformës dhe integrimit të Kosovës në BE. Raporti mbulon një gamë të gjerë çështjesh. Sundimi i Ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administrata publike dhe antidiskriminimi”, shkruan ajo.
Ajo kërkon që të zbatohet vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit në mënyrë që të ketë zbatim të barabartë të sundimit të ligjit.
“Lidhur me sundimin e ligjit, raporti u kërkon autoriteteve të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe respektojnë plotësisht Opinionin e Komisionit të Venecias. Sundimi i ligjit do të thotë barazi për të gjithë. Prandaj, i bëj thirrje qeverisë së Kosovës që të zbatojë aktgjykimin e GJK-së lidhur me Manastirin e Deçanit dhe të demonstrojë se nuk ka një qasje selektive kur bëhet fjalë për aplikimin e sundimit të ligjit”, shtoi ajo.
Ajo tutje tregoi se pa arritjen e marrëveshjes me Serbinë, pranimi në BE nuk do të ndodhë.
“Një element thelbësor i rrugës së integrimit në BE është Dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë. I dërguari special i BE-së Miroslav Lajcak ka mbështetjen tonë të plotë dhe ekziston një unitet unik transatlantik. Megjithatë, pa marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, pranimi nuk do të ndodhë”, deklaron Von Cramon.
Shtetasja gjermane, e cila është anëtare e Partisë së Gjelbër, e përmend edhe tranzicionin energjetik në Kosovë.
“Mbrojtja e mjedisit duhet të bëhet prioritet për Kosovën! Një nga hapat kryesorë është tranzicioni i energjisë. Koha për të zbatuar Strategjinë e Energjisë e cila do të hapë rrugën për dekarbonizimin e përzierjes energjetike të Kosovës dhe do të hapë derën për burimet e rinovueshme. Qytetarët e #Kosovës e dinë mirë këtë”
Von Cramon tregon edhe nevojën që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt për Kosovën dhe cek plotësimin e të gjitha kushteve.
“Parlamenti Europian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën e dhënies së menjëhershme të liberalizimit të vizave, i cili ka kohë që është vonuar pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane!”, përfundoi ajo.
This year’s #Kosovo ?? report comes in a special moment – the one when we see again horrors of war in Europe.
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) July 5, 2022
It’s govt. demonstrated full solidarity with #Ukraine ??, for which I want to thank them.
The report also underlines Kosovo’s long reform & EU-integration path. pic.twitter.com/MKrUM0Etjb