Nga të gjitha shtetet e BE-së, vetëm dikush përmendi heqjen e vizave !
Presidentja e Parlametit Evropian, Roberta Metsola, mbetet liderja e vetme evropiane që ka përmendur domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për Kosovën
Metsola para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe pas përfundimit të samitit ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizat.
“Pozicioni im gjatë samitit ka qenë i qartë, ne duam të shohim përparim në bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Unë gjithashtu përmenda qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, ky është shteti i vetëm në rajon që s’është akoma pjesë e zonës Schengen”, tha ajo.
Presidentja e PE-së, edhe para fillimit të Samiti poashtu deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë.
“Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Europian. Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Europën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këto janë pikat që do të fliten brenda samitit, sepse kjo është dita kur ne duhet të shikojmë drejt Ballkanit Perëndimor si vende që janë fqinj tonë dhe vende që duhet ta gjejnë veten në Bashkimin Europian, i cili është shtëpia e tyre”, ka thënë ajo para gazetarëve.
Pavarësisht përkrahjes së Presidentes së Parlamentit Evropian, Këshilli i BE-së nuk e ka përfshirë liberalizimin e vizave për Kosovën në konkluzat e Samitit.
Sot, 27 liderët e BE-së takohen në ditën e dytë në kuadër të Këshillit të BE-së, ku do të diskutohen çështje të ndryshme.
Nuk dihet nëse liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë temë në takimin e liderëve të BE-së sot.
Kancelari gjerman Olaf Scholz që është njëri nga përkrahësit më të mëdhënjë që Kosovës t’i hiqen vizat ka deklaruar në takimet me kryeministrin Kurti se do të angazhohet personalisht që liderëve të BE-së t’ua rikujtojë se Kosova ka plotësuar kriteret dhe se duhet t’i hiqet regjimi i vizave.