Edi Rama: Kemi zbuluar rezerva të mëdha nafte dhe të gazit natyror në Shqipëri
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë thënë se kompania holandeze ‘Shell’ ka zbuluar sasi të mëdha nafte dhe gazi në Shqipëri.
Edi Rama ka thënë se ky zbulim do të ndikojë në të ardhmen e vendit dhe atë energjetike të Evropës, transmeton Teleshkronja Post.
“Holanda e pranishme në Shqipëri. Ne kemi shumë shpresë se së shpejti mund të ndajmë me opinionin tonë publik, rajonal dhe përtej rajonit, një zbulim shumë të rëndësishëm që kompania holandeze ‘Shell’ po arrin në vendin tonë. Ata hezitojnë për momentin të flasin për shifra. Shenjat tregojnë se mund të jemi pranë një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës në nëntokë, që do të ndikojë të ardhmen e vendit tonë, por edhe do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”, tha Rama.
Belinda Balluku ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në qeverinë e Shqipërisë tha që vendi i saj do të jetë një ndër vendet që do të prodhoj sasi të madhe gazi në të ardhmen.
“Një nga kompanitë më të shkëlqyera që kemi në vend ‘Shell’ po punon në Shqipëri prej disa kohësh tashmë dhe ne po presim me padurim rezultatin e eksplorimit që do të jetë një zbulim i madh, është e sigurte që Shqipëria do të jetë një prej vendeve që do të prodhoj një sasi të madhe gazi dhe nafte e ndarë me 60 për qind për naftën dhe 40 për qind për naftën”, tha ajo.