E fundit : Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen e parë në dialog.
Kosova dhe Serbia kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen në Bruksel, lidhur me çështjen e energjetikës.
Kështu ka njoftuar përmes një postimi në Twitter, i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka thënë më 13 qershor se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur më 2013”.
Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.
Që nga kriza e shtatorit në veri të Kosovës, kryenegociatorët, Besnik Bislimi nga Prishtina dhe Petar Petkoviq nga Beogradi janë takuar vetëm një herë, më 21 prill, kur dështoi arritja e marrëveshjes për targat e automjeteve.
Dialogu në nivel të kryenegociatorëve është zhvilluar disa herë para dhe pas këtij momenti por pa takimin e drejtpërdrejtë të tyre. Secili takim i zhvilluar në Bruksel që nga ajo kohë ka përfunduar pa asnjë rezultat.
/Teleshkronja/