Ish-ambasadori holandez në Kosovë e quan të pakuptimtë kërkesën për udhërrëfyes të ri të vizave
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka quajtur të pakuptimtë deklaratën e komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, që Kosovës t’i prezantohet një udhërrëfyes i ri për liberalizimin e vizave.
Bosch ka shkruar se edhe pse Kosova ka plotësuar kriteret, Varhelyi ka kërkesa tjera që nuk u janë kërkuar vendeve tjera.
“Edhe pse Kosova i plotëson të gjitha kushtet sipas komisionit të BE-së, ky njeri vjen me më shumë kërkesa që nuk i kemi bërë kurrë për të gjitha vendet që kanë marrë lirinë e vizave gjatë viteve të fundit. Unë me të vërtetë nuk e di se si të arrihet drejtësia për Kosovën. Si kongresi i PE ashtu edhe i PPE në Roterdam kohët e fundit kërkuan që më në fund të zbatohej dhe më pas dëgjohet kjo gjë e pakuptimtë e Varhelyit”, ka shkruar ai.
Komisioneri Varhelyi, dje ka deklaruar se janë të gatshëm që të propozojnë një udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën për të adresuar shqetësimet në disa fusha siç janë luftimi i krimit dhe korrupsionit.