Shqiptari nga Kosova lë SHBA-në për Lezhën, mbjell 100 hektarë tokë me arrë [VIDEO]
Një investim të rëndësishëm në zonën e quajtur Fang në mes kufirit ndarës të Lezhës dhe Vaut Dejës në Shqipëri. e ka bërë Hysni Syla. Syla, një shqiptar i Kosovës, pas 30-viteve punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi të investojë miliona USD [dollar] në Shqipëri.
Syla ka mbjellë 100 hektarë tokë me arra “cangler”, një varietet që aktualisht është më e kërkuar në botë. Ky investim ka kapur vlerën e 2.5 milionë dollarëve dhe pritet të dalë prodhimi në treg pas 4 vitesh, shkruan TeleshkronjaPost.com .
Mbjellja e plantacioneve me arra në këtë tokë të pashfrytëzuar asnjëherë ka qenë shumë e vështirë, por Hysni Syla dhe ekipi i tij kanë bërë përpjekje të mëdha për ta punuar tokën dhe kanë ndërmarrë disa hapa për ta përgatitur atë për prodhimin. Agronomët nga Kosova po kryejnë shartimin e fidanëve.
Investitori thotë se ka gjetur një mjedis të ngrohtë dhe mirëkuptimin e banorëve, por aspak mbështetjen e shtetit shqiptar. Ai kërkon të përdorë përvojën dhe kualifikimet e tij për të ndërtuar një biznes të qëndrueshëm në Shqipëri dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Pleqërinë do ta kaloj këtu. Për të rinjtë më vjen keq që nuk e gjejnë veten, por të kenë durim”, tha Syla.
– Shqiptari nga Kosova në Lezhë, Hysni Syla
Hysni Syla ka një mesazh për të rinjtë që po braktisin vendin dhe i inkurajon ata të kenë durim dhe të gjejnë mënyra për të krijuar punë dhe për të ndikuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë. /TeleshkronjaPost/