Ankesa e Klan Kosova nuk pranohet, mbyllet mediumi edhe pas rregullimit të dokumentacionit

Sot në mesditë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e publikoj një komunikatë me të cilen njofton publikun se ka refuzuar ankesen e mediumit Klan Kosova. Në komunikatë shpjegohet si si erdhi deri tek vendimi, i cili ngjalli reagime të forta nga partitë politike, organizatat joqeveritare, mediat dhe opinioni publik.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Në njoftim thuhet se vet hapat e ndërmarrë nga pronarët e mediumit për korrigjimin e dokumenteve vërtetojnë se nga ana e mediumit kishte shkelje, ashtu siç e ka konstatuar ARBK-ja.

Sot ishte afati i fundit për marrjen e vendimit në lidhje me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, një temë tepër e diskutuar në publik. Komisioni për shqyrtimin e ankesave në ARBK ka marrë vendim që t’ia pezulloj Klan Kosovës çertifikatën e biznesit, pasi nuk ia ka pranuar ankesën. MINT ka njoftuar se për ta kjo çështje ka mbaruar, e se rasti tashmë do të kaloj në Gjykatë.

Ky është fillimisht njofimi i plotë nga MINT:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”. Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.
Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.
Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?
Me këtë rast, rikujtojmë se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu edhe një komunikatë nga Klan Kosova si reagim ndaj vendimit të sotshëm, kanë paralajmëruar kundërshtimin e vendimit në instanca tjera ligjore, transmeton TeleshkronjaPost.

Në një reagim nga Klan Kosova, e publikuar edhe nga gazetari Adriatik Kelmendi, i cili është pjesë e kompanisë mediale, theksohet në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare nga institucionet e shtetit dhe çështjen do ta dërgojë në gjykatë.

Reagimi i gazetarit Adriatik Kelmendi:

Klan Kosova shpreh shqetësimin për vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë (MINT) për të refuzuar ankesën e Klan Kosova Sh.P.K. për pezullimin e certifikatës së biznesit, duke e parë këtë akt si një luftë të hapur frontale të Qeverisë ndaj medias së lirë.
Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore.
Ndaj tendencës së Qeverisë për të rrezikuar një ndër mediumet më të mëdha në vend, Klan Kosova, kanë reaguar organizatat dhe institucionet kryesore të medias dhe fjalës së lirë në vend dhe në botë, qeveritë e shteteve të Quintit dhe figura lidere të të drejtave të njeriut gjithandej, duke e cilësuar këtë si sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë në Kosovë.
Tendenca e Qeverisë për të sajuar situata të paqena me vendimin për refuzim ankese të marrë sot, si dhe me interpretimin akuzues dhe joprofesional që MINT e ka publikuar në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, tregon se qëllimi i vërtetë nuk është procedura teknike e një biznesi, por mbyllja e gojës së medias.
Klan Kosova në asnjë rrethanë nuk do ta pranojë një qasje të tillë autoritare nga institucionet e shtetit dhe çështjen do ta dërgojë në gjykatë.
Klan Kosova dëshiron t’i sigurojë të gjithë qytetarët se puna nuk do të ndalet dhe as që do të mund të ndalet.
Ne do ta vazhdojmë zejen e shenjtë të informimit të qytetarëve në mënyrë të drejtë dhe profesionale si deri më sot, edhe nesër dhe përgjithmonë, plotësisht të vetëdijshëm se nëse ne dorëzohemi, atëherë trysnia do të vazhdojë mbi mediat e tjera me synimin e instalimit të frikës në Kosovë.
Dëshirojmë t’i falënderojmë të gjithë ata individë, media dhe institucione, që gjatë gjithë kohës janë interesuar dhe na kanë qëndruar prapa në betejën tonë jo të lehtë për ta mbrojtur njërën nga liritë kryesore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës – fjalën e lirë.
Jemi të bindur se jemi në rrugë të drejtë dhe në fund drejtësia do të triumfojë.